Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se institucioni që ai drejton nuk ka kapacitetet dhe mekanizmat e duhur kontrollues dhe monitorues për të hetuar financimet e partive politike apo fushatave e tyre zgjedhore.
Në raportimin e bërë në komisionin e “Dezinformimit” të drejtuar Erjon Bracce, Celibashi raportoi mbi financimin e partive politike nga subjekte që kryejnë veprimtari të kundërligjshme ose shtete të huaja.
Kryekomisioneri kërkoi që Kuvendi të adresojë problemin duke bërë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor.
“Ka nevojë për përmirësimit të mekanizmave të kontrolleve dhe mbikëqyrjes së financimit të partive. Lidhur me financimin e paligjshme kryesisht nga subjekte të huaja apo shtete të huaja apo edhe nga subjekte qe në vetvete ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme duhet të pranojmë që është e vështirë për KQZ që të marrë informacione lidhur me këtë lloj natyre financimi. Në fund të fundit financimi përmes këtyre subjekteve përbën një veprimtari që sanksionohet në kodin penal dhe veprime të tilla kërkojnë angazhimin e institucioneve përgjegjëse për ndjellin penale. Do ishte naive që përmes mekanizmave të KQZ të merret informacion dhe më pas të vlerësonte financime që vijnë nga veprimtari të paligjshme dhe kriminale apo nga shtete të huaja. Duhet përmirësim i mekanizmit të raportimit të partive politike dhe subjekteve zgjedhore për veprimtarinë e tyre elektorale. Ka përmirësime sinjifikative, por mbetet ende shumë për të bërë. Ajo që është themelore dhe duhet të ndryshojnë lidhur me financimin ka të bëjë me financimin e palëve të treta, që konsiston në financimin indirekt të partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe ky financim në këtë mënyrë ndihen jo përgjegjëse për raportimin dhe monitorimin e financimeve të përcaktuar sipas rregullores”, tha Celibashi.
(BalkanWeb)