TIRANË

Ambasada amerikane iu bën thirrje kryetarëve të PD e LSI-së të dënojnë aktet e dhunshme të mbështetësve të tyre dhe të bashkëpunojnë me çdo hetim për të identifikuar personat që i kryen këto akte dhune.

Në një postim në faqen e saj në “Facebook”, ambasada e SHBA si rrallë herë iu drejtohet me emra liderëve të opozitës dhe bën thirrje për protesta paqësore.

Ambasada dënon edhe dhunën në protestën e 11 majit, duke kujtuar shënimet në vendbanimin e ambasadorit të OSBE. Nga ana tjetër SHBA iu kërkon vetëpërmbajtje edhe autoriteteve ligjzbatuese dhe nxit palët të zmbrapsen nga përplasjet e të dialogojnë pasi po dëmtohen përpjekjet e Shqipërisë për integrimin dhe reformat.

MESAZHI
??️ | Protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore. Megjithatë, forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik. Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit të Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike. Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore. Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve. Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik.

Us
Us

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: