SHBA– Parada shqiptare e Vitit 2017 në Nju Jork, paradë tradicionale që organizohet çdo qershor në Nju Jork, këtë vit do t’u kushtohet Arbëreshëve, një iniciativë për të bashkuar jo vetëm komunitetin shqiptar, por dhe një afrim më i ngushtë me komunitetin arbëresh atje.

Parada do të organizohet me 17 qershor, nën kujdesin e organizatës “Rrënjët Shqiptare–Albanian Root”s, me President Marko Kepi, e cila është dhe organizatore e kësaj parade, për komunitetin shqiptar në zonën e Tri-Shtetëshit, në dekadën e fundit.

Fund javën e kaluar, në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, u bë takimi i parë organizatave të Komunitetit shqiptar. Për të parën herë në një takim të tillë ka marrë pjesë një përfaqësuese nga arbëreshët. Ajo është Nicole Coscio e cila tha se, ndjehej mirë mes vëllezërve dhe motrave të gjakut të Arbërit, edhe pse nuk mund të fliste në gjuhën shqipe.

Në këtë takim të parë janë përfaqësuar shoqatat: Rrënjët Shqiptare, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, Shoqata Ana e Malit, Shoqata Dibra, Batalioni Atllantiku, Shoqata Kraja, Zyra e Mark Gjonaj, Albanian Excellence, Ansambli Kënga dhe Vallja Shqiptare.

Duke ju referuar gazetës “Dielli” online, takimi u drejtua nga Marko Kepi i cili tregoi platformën e kësaj Parade dhe kërkoi mendime nga pjesmarrësit për organizimin dhe përkushtimin e kësaj Parade. Përmes diskutimeve u vendos që Parada e Vitit 2017, t’u kushtohet Arbëreshëve.

Pjesmarrësit i ka përshëndetur kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dr.Gjon Buçaj i cili cilësoi se kjo, Paradë i kushtohet vëllezërve dhe motrave të gjakut të Arbërit-Arbëreshëve. Ai solli shembullin e nëntorit të vitit 1969, kur Federata Panshqiptare e Amerikës bashkoi arbëreshët e Italisë, me rastin e 60 vjetorit të Diellit. Në 10 ditët veprimtari ku morën pjesë disa mijëra shqiptarë të Amerikës dhe 120 përfaqësues të komunitetit arbëresh në Itali, përfshirë akademikë, prifëtrinj, studiues, dhe përfaqësues nga arbëreshët në SHBA,u organizua dhe një Paradë në Manhattan, me pjesmarrjen e rreth 5 mijë shqiptaro-amerikanëve dhe arbëreshëve. Në krye të Paradës ishin vajzat dhe gratë shqiptaro-amerikane dhe arbëreshe të veshura me kostume kombëtare, sipas gazetes Dielli online.

Për çdo vit në zemër të qytetit të Nju Jorkut, Parada shqiptare, ka kulmuar në rrugën e famshme “America Avenue” në Manhatan, ku kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë nga shtetet të ndryshme të Amerikës, me këngë e valle, dhe veshjet tona folklorike, të Shqipërisë, Kosovës, dhe gjitha trevave shqiptare.

Kjo parade i bashkëngjitet Paradës Ndërkombëtare të Emigrantëve, dhe eshte e vetmja Parada Shqiptare, në SHBA”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: