Në Britani u mbajt sot parada tradicionale për ditëlindjen e Mbretit, që shënoi edhe herën e para që Princesha e Uellsit u shfaq publikisht që kur u diagnostikua me kancer më herët gjatë këtij viti.
Qytetarë që ishin mbledhur për rastin u dëgjuan të brohorisinin kur Princesha Kate iu bashkua anëtarëve të tjerë të familjes mberetërore në ballkonin e Pallatit Bakingam në fund të paradës.
Ngjarja ishte një dëshmi simbolike uniteti, mbreti Charles, mbretëresha Camilla, William, Kate, fëmijët e tyre dhe anëtarë të tjerë të familjes u panë të gjithë bashkë.
Ata përshëndetën pjesëmarrësit ndërsa ndoqën ceremonitë e organizuara për të festuar ditëlindjen zyrtare të monarkut. Është një spektakël që përfshin 1400 ushtarë, bandën ushtarake prej 250 muzikantësh, më shumë se 200 kuaj dhe po ashtu fluturime të avionëve ushtarakë.
Kjo ishte hera e parë që Princesha Kate u shfaq në publik që nga dhjetori. Ajo zbuloi në mars se po i nënshtrohej trajtimeve me kimioterapi pasu vuante nga kanceri.
“Po përmirësohem, por siç e di çdo njeri që është trajtuar me kimioterapi, ka ditë të mira dhe të këqija”, tha Princesha Kate në një deklaratë të shpërndarë të premten, ku shtoi se duhet të marrë trajtim edhe për “disa muaj”.