TIRANE- Aktivisti i LGBT-së, Kristi Pinderi i është kundërpërgjigjur sot kreut të ALUIZN-it, Artan Lames, i cili në një të përditshme shqiptare komentoi çështjen e kësaj lëvizje dhe paradës së tyre të 17 majit. Në një reagim drejtuar mediave, Pinderi ka ironizuar qëndrimin e Lames, ndërsa e ka krahasuar atë me një bejtexhi.

“Artan Lame foli sërish! Nuk kuptohet në foli si inxhinier, koleksionist apo bejtexhi, por në gazetën Shqip shkruante për përfytyrimet e vjetra homoerotike dhe pedofilike të bejtexhinjve, për të na mbushur mendjen se ky vendi ynë është një parajsë për LGBT dhe të vetmit që nuk e pranojnë këtë “parajsë” qënkërkemi ne aktivistët. Duhet të jetë një goxha kokëçarje për Edi Ramën të ketë rrotull vetes bejtexhinj si Lame. Ashikët dhe dylberët mund të jenë vërtet pjesë e trashëgimisë homoerotike të së kaluarës, por si t’ia bëjmë që në përpjekjet për hapjen e negociatave me BE-në afshet e pedofilëve ashikë në kërkim të dylberëve të rinj nuk na bëjnë shumë punë?”, citohet replikën e Kristi Pinderit.

Nga ana tjetër, ai ka theksuar se amendimi i parë i Kodit Penal për të kriminalizuar homoseksualizmin ndodhi në vitin 1925. “Artan Lame këtë herë foli me by… (konotacionin negativ kësaj fjale ia ka dhënë komunizmi, sipas Lames, ndaj unë po e përdor në mënyrë gjenuine, pa u ndikuar nga komunistët e pa asnjë kompleks ashtu siç është: by..!) Foli me by… se po të fliste mbi arsyetime të mirëfillta historike do të duhet ta dinte se kriminalizimi i homoseksualizmit nuk na erdhi nga komunistët.

Amendimi i parë i Kodit Penal për të kriminalizuar homoseksualizmin ndodhi në vitin 1925. Dmth, dy dekada para se komunistët të vinin në pushtet. Në dosjet 257-282 me titull “Krime të Kundërnatyrshme” z. Lame, si “gërmues” i historisë, mund të gjejë dhe projekt-propozimin e parë të Ministrisë së Drejtësisë në 4 janar të vitit 1925 për të amenduar Kodin Penal në mënyrë që akti homoseksual të ishte i dënueshëm më burg. i shkruan Ministria e Drejtësisë Këshillit të Ministrave në shkresën me numër 2106: “Në këtë projekt edhe pasivit asht dënue njisoj me aktivin mbasi këto quhen bashkëpunuese dhe për këtë shkak meritojnë dënim të njishëm”. Në po atë dokument kriminal për nga qëllimi, në fund, pasi jepen të gjitha arsyetimet e mendjeve injorante shtohet: “Tue qenë se qëllimi i hartimit të këtij projekt-ligji asht që të ç’duket në Republikën e Shqiptare kjo vepër e turpshme(Pederastia) në nenet 1,2,3,4,5,6,7,ashtu thanë edhe se aktivi e pasivi nxirren 15 ditë në punë Botore gja qi besojmë se asht e domosdoshme masi denonsasioni (Tesh-hiri) në këtë mënyrë i pret guximin pederastave””, shton më tej Pinderi.

Më tej ai shtoi: “Kështu pra, komunistët vetëm sa e përsosën kriminalizimin e një pjese të shoqërisë. Derisa në vitin 1994 Shqipëria arriti ta dekriminalizojë aktin homoseksual. Për 70 vjet të plota, zogistët, ballistët, nacionalistët, komunistët, fashistët e nazistët e kriminalizuan shoqërinë me ligje që detyronin qytetarët e katunarët që të denonconin këdo që ata besonin se kryente marrëdhënie homoseksuale. Artan Lames, të cilit deri para do kohësh “i hanin duart për punë” në Tiranë, tani kushedi se çfarë i ka ngrënë…Serbes serbes, nga televizori i shtëpisë së tij na kishte parë të dielën dhe kur nuk ndodhi ndonjë incident në rrugët e Tiranës teksa pedalonim me biçikleta, iu përvesh punës për të shkruar këtë bejte të re në gazetën Shqip. Dhe në fakt, ka disa të vërteta në atë që shkruan. Për shembull, është e vërtetë që këtu në Shqipëri nuk na rrahin në rrugë, por ne përballemi çdo ditë me dhunën që ndodh brenda atij ambienti që do duhet të ishte më i sigurti për ne: brenda familjes. Për shembull do të doja t’ia shpjegoja me ashikë e me dylberë vëllait tim të madh të gjitha, por ai sërish nuk do pranonte të më fliste, siç vazhdon të mos më flasë. E sërish nuk do pranonte të lejonte nënën time të takonte mbesën e saj, siç vazhdon të mos e lejojë.”.

Aktivisti i LGBT-së, Pinderi i është drejtuar më tej Lames, duke shtuar se ‘ndryshe nga ti neve historia nuk na shërben për të gjetur ndonjë justifikim, por për të gjetur rrënjët se u i ka shoqëria’.

“Ashikët e dylberët e as komunistët, nuk na shpjegojnë dot pse familjarët e Denisit e mbyllën në Vlorë për ta shëruar, jo më larg se tre javë më parë. Lame mund të shkojë në Komisariatin e atij qyteti dhe të shikojë proçesverbalet se ishte Policia që e liroi dhe e solli në shelterin tonë. Ashikët e dylberët e as komunistët e bejtexhinjtë si Lame nuk na shpjegojnë dot pse Xhulio ka tenton të vrasë veten për shkak të depresionit nga diskriminimi dhe dyuna e vazhdueshme. Rasti i fundit ndodhi dy javë më parë. As Lame, as ashikët, as dylberët e komunistët, nuk na shpjegojnë dot pse Klajdi nuk shkon dot në shtëpi e pse ka akoma gjakderdhje nga hunda për shkak të rrahjeve nga i vëllai. E si këto histori të tmerrshme ne kemi përditë. Artan! Patjetër që shumë prej gjyshërve e stërgjyshërve kanë qenë qeflinj. Kush e mohon dot këtë? Por ndryshe nga ti neve historia nuk na shërben për të gjetur ndonjë justifikim për parehatinë që dikush mund të ketë. Neve historia na shërben për të kuptuar se ku i ka rrënjët kjo shoqëri që në vitin 2015 dhunon më të rinjtë e saj vetëm pse ata janë ndryshe. Dhe e di se çfarë kemi kuptuar? Që njerëz si ti janë produkt pikërisht i atyre 70 viteve të mësipërme. Produkt pikërisht i atyre gjyshërve që ti i quan qeflinj, por që për ne janë thjesht kriminalë!”, përfundoi Kristi Pinderi.

Artan Lame, në një të përditshme shqiptare pohoi se parada e LGBT-ve shkoi dëm. “Në Tiranën e ngeshme të së dielës u zhvillua parada e radhës e LGBT-ve. Kronikat thanë se çdo gjë shkoi së mbari. Unë them se shkoi dëm. Dështimi erdhi nga një fakt i thjeshtë, që as organizatorët, as ambasadorët, as Avokati i Popullit, as ata që rrojnë me projekte, as ata që rrojnë me atë punë, e as gjithë ata që prisnin të kish fërkime, nuk e dine”-citohet në shkrimin e Lames. Ai ka shtuar më tej se nuk ka pasur ndonjëherë homofobi ndaj këtij komuniteti.

Madje Lame i kujton kësaj shtrese edhe një këngë:
“Ç’po na vjen nji vark me vela,
thon se ka manifaktur.
Qenka mbush o me dylbera,
Jalla zot shkarkofshin ktu”.

Më tej ai shton: “Historitë me dylberë e çuna të bukur, janë të pafundme në folklorin tonë, por u spastruan pa gjurmë pas viteve ’50. Historitë e Elbasanit e të Kavajës, edhe ato janë të pafundme në kujtesën tonë historike dhe folklorike, por u spastruan dhunshëm nga diktatura, duke u mbetur pas vetëm një kujtim i deformuar”. Sakaq, Lamë në artikullin e tij, drejtuar këtij komunitet ka parafytyruar se do të bëhet armik me të gjitha palët. “Unë sot rrezikoj të bëhem armik me të dyja palët. Edhe me LGBT-mbrojtësit, se po ju heq bukën e gojës, edhe me miletin se po ju them se bën vaki t’i kenë pasur gjyshërit e stërgjyshërit qejflinj”.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: