Ben Blushi i është përgjigjur disa pyetjeve të lexuesve për romanin “Parajsa Artificiale”. Në një postim në rrjetet sociale, Blushi duke iu drejtuar ndjekësve të tij shkruan “kush më thotë çfarë rendi shoqëror do dominojë botën pas 50 vitesh apo pas 200 vitesh? A do jetë më kapitalizmi në fuqi? Nëse po çfarë lloj kapitalizmi? Do jetë më human apo më i egër se ky që kemi njohur në 100 vjet? A do ketë me demokraci? Apo nuk do ketë më arsye të votojmë?”.
Dhe duke sqaruar sepse ky libër është ndryshe nga ato të shkruar më parë, Blushi thekson se “ky libër është ndryshe për shkak të temës. Shumë njerëz që kanë lexuar librat e mi të viteve të fundit kanë thënë se unë përshkruaj realitete distopike, pra të zymta dhe të egra ose thënë shkurt një ardhme të keqe. Parajsa Artificiale nuk është një Distopi, siç ishte romani im i vjetshëm Komploti, por është një Utopi. Pra është një realitet i bukur”.
Nga Ben Blushi
PËRGJIGJE DISA PYETJEVE TË LEXUESVE PËR PARAJSËN ARTIFICIALE
Pas prezantimit të romanit Parajsa Artificiale, në faqen time kanë ardhur shumë pyetje të cilave po i përgjigjem shkurt.
1. Pse libri quhet Parajsa Artificiale ?
Para se të përgjigjem kam unë një pyetje. Kush më thotë çfarë rendi shoqëror do dominojë botën pas 50 vitesh apo pas 200 vitesh? A do jetë më kapitalizmi në fuqi? Nëse po çfarë lloj kapitalizmi? Do jetë më human apo më i egër se ky që kemi njohur në 100 vjet? A do ketë me demokraci? Apo nuk do ketë më arsye të votojmë? A do kthehet prapë komunizmi në një formë më të butë? Nëse po, a do na i marrë sërish të drejtat, liritë dhe pronat siç ndodhi gjatë shekullit të kaluar? Askush nuk e di. Askush nuk mund të vërë bast se kapitalizmi do ekzistojë përjetësisht apo se komunizmi nuk rikthehet më. Parajsa Artificiale pra është një rend shoqëror. Kjo është mënyra se si e shikoj unë të ardhmen pas disa shekujsh, atëherë kur teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale të ketë marrë në dorë punët e njerëzimit duke ndryshuar marrëdhëniet mes njeriut dhe punës, mes njeriut dhe parasë, mes njeriut dhe shtetit, mes njeriut dhe njeriut dhe mes njeriut dhe Zotit. Libri përshkruan këtë lloj bote dhe prandaj quhet Parajsa Artificiale. Për shkak të AI ne do mund ta përjetojmë parajsën në të gjallë, pa patur nevojë të vdesim siç thotë Zoti.
2. Çfarë të lidh ty me AI dhe të ardhmen?
Unë jam një njeri që mendoj shumë për të ardhmen dhe tema e Inteligjencës Artificiale më mahnit. Mrekullohem kur mendoj se shumicën e punëve të rënda që bëjmë sot që nga ndërtimi, bujqësia, transporti, pastrimi, hapja e kanaleve, vënia e tullave, mbledhja e plerave do t’i bëjnë robotët duke i dhënë fund kështu torturës fizike që ka gjymtuar kaq shumë njerëz në histori duke i skllavëruar. Puna fizike e ka skllavëruar njeriun në mijëra vjet. Këto punë do t’i bëjnë robotët. Ata do ecin dhe do duken si ne. Ndërsa punët e tjera nga bankierët, taksambledhësit, marketingu, mjekët, inferimerët, prokurorët dhe gjyqtarët do t’i bëjë një tru i pavarur të cilin nuk e shohim dhe as e takojmë që quhet Inteligjenca Artificiale. Nëse do pyes njëqind njerëz në Shqipëri se kujt i besojnë më shumë, Inteligjencës Artificiale apo një gjyqtari, me siguri shumica do zgjidhnin të parën. Inteligjenca Aritificiale mund të japë drejtësi më shpejt dhe më mirë se çdo gjyqtar sepse është më e aftë se ai, nuk lodhet, nuk fle, nuk ha, nuk shkon në plazh dhe nuk korruptohet. Kjo lloj bote pa gjyqtarë, pa policë, pa prokurorë, pa taksambledhës, pa zyrtarë, pa burokraci dhe pa puntorë krahu, më mahnit dhe prandaj përpiqem ta rindërtoj përmes fantazisë.
3. Pse ky libër është ndryshe nga ata që keni shkruar më parë?
Ky libër është ndryshe për shkak të temës. Shumë njerëz që kanë lexuar librat e mi të viteve të fundit kanë thënë se unë përshkruaj realitete distopike, pra të zymta dhe të egra ose thënë shkurt një ardhme të keqe. Parajsa Artificiale nuk është një Distopi, siç ishte romani im i vjetshëm Komploti, por është një Utopi. Pra është një realitet i bukur. Nga ana tjetër ky libër është ndryshe për shkak të stilit. Romani nuk ka përshkrime të gjata që tregojnë se si rrodhi një pikë shi në dritare kur një vajzë po qante, por aty gjithshka zhvillohet përes dialogjeve. Pra ti pyet unë përgjigjem, unë pyes ti përgjigjesh. Ndoshta kjo formë mund ta bëjë më të lehtë leximin duke afruar të rinjtë tek libri sepse ata i mungojnë librit duke u marrë me facebook, tik tok dhe instagram.
4. Pse vendose ta ndash librin në dy pjesë Ferri dhe Parajsa?
Romani ndahet në dy pjesë të cilat zhvillohen gjatë një dite. Gjatë paradites personazhi kryesor i tregon të dashurës së vet se si do sajojë një luftë për të zgjidhur dramën e familjes së saj. Vajza vuan sepse prindërit mund të ndahen pasi nëna nuk e do më babain. Kështuqë ai i dhuron një luftë pasi babai është oficer dhe pjesëmarrja në një luftë mund të shmangë divorcin e tyre duke heroizuar babain në sytë e nënës. Dhe meqë lufta është gjithë e përgjakshme, pjesa e parë e librit quhet ferri. Pjesa e dytë, që zhvillohet gjatë pasdites quhet parajsa sepse personazhi kryesor i librit Simon Shuter, ndërton parajsën përmes fantazisë së tij duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Pra ndërton të Ardhmen duke shëruar plagët e Ferrit.
5. Cila është e lufta e vërtetë në libër ajo mes shteteve apo personazheve?
Lufta e vërtetë është ajo mes të mirës dhe të keqes, mes lumturisë dhe trishtimit, mes dashurisë dhe tradhëtisë. Në pjesën e parë të librit, e keqja, trishtimi, tradhëtia, ndarja, racizmi dhe intrigia fitojnë. Kurse në pjesën e dytë tregohet se si njeriu i të ardhmes përmes Inteligjencës Artificiale do arrijë të zhdukë të keqen, dëshpërimin, varfërinë, pabarazinë, ndarjet fetare dhe etnike si dhe vetë paranë, punën fizike dhe Zotin si armiqtë më të mëdhenj të lumturisë njerëzore.
6. A i trembeni Inteligjencës Artificiale?
Aspak. Unë mendoj se Inteligjenca Artificiale nuk do t’i bëjë dëm njeriut sepse ajo nuk ka asnjë interes material. Njeriu ka vrarë dhe ka shtypur njerëzit e tjerë për ushqim, për prona, për pushtet, për para dhe për urrejtje. Inteligjenca Artificiale nuk urren njeri, nuk ka zili, nuk ka inat dhe nuk do as para, as prona, as pushtet dhe as ushqim. Ajo është e zhveshur nga ambicja. Ajo nuk kërkon të zëvendësojë njeriun sepse është aq inteligjente sa të kuptojë se nuk jeton dot pa njeriun. Kjo është arsyeja që Inteligjenca Artificiale do ta mbrojë njeriun duke e bërë më të fortë, më të shëndetshëm dhe më të lumtur. Më në fund njeriu do gjejë shërbëtorin ideal, atë që do tia plotësojë të gjitha dëshirat pa patur vetë asnjë dëshirë. Ndryshe nga kafshët Inteligjenca Artificiale nuk jeton dot pa njeriun dhe mirëqenia e tij është qëllimi i vetëm i saj.
7. Cili është mesazhi që ky libër kërkon ti japë lexuesit?
Në rradhë të parë Parajsa Artificiale kërkon të japë kënaqësi artistike për ata që e lexojnë. Ai është një roman dhe jo një traktat filozofik. Në thelb është një histori dashurije mes një burri dhe një vajze më të re. Ata kapërcejnë dramat e jetës së tyre duke folur dhe duke ndihmuar njëri – tjetrin. Së dyti, romani kërkon të ndërtojë një maket të se ardhmes. Si do jetë e ardhmja, ky është qëllimi i këtij libri. Personazhi kryesor Simon Shuter kur pyetet nëse është profet thotë : nuk dua të jem profet sepse profetët parashikojnë vetëm gjëra të këqija. Dua të jem Lexues i të Ardhmes.
8. Pas romanit Kandidati dhe Komploti ky është romani i tretë ku personazh kryesor është Simon Shuter. Si mund të jetë një personazh në tre libra?
Simon Shuter është një personazh i lirë i cili thyen rregullat e shoqërisë duke luftuar zvetënimin dhe shkatërrimin e saj moral. Në romanin Kandidati ai zgjedh Kryetar Bashkie një të vdekur duke u tallur me një shoqëri tradicionale, e cila shpesh voton të “vdekurit” para të gjallëve. Në romanin Komploti ai sajon një histori duke e shpëtuar Shqipërinë nga pushtimi i të huajve dhe kolonizimi në vitin 2044. Ndërsa tek Parajsa Artificiale ai shpëton një vajzë nga kotësia, zbrazëtia dhe dëshpërimi duke e mësuar si të ëndërrojë. Simon Shuteri i ngjan dikujt që vendos përpara shoqërisë një pasqyrë në mënyrë që ajo të shohë vetveten dhe të ndryshojë. Kur ajo nuk ndryshon atëherë Simon Shuter ndërhyn në mënyrë inteligjente dhe ironike megjithëse nga libri në libër ai është gjithmonë e më i dashur, siç ndodh edhe te Parajsa Artificiale. Në një moment ai thotë, mezi po pres të pushoj të jem njeri sepse Inteligjenca Aritficiale do më heqë aftësinë për të bërë keq.
(BalkanWeb)