S’e marr vesh mirë këtë librin e fundit të Blushit, më tha një i njohur im, që e kishte lexuar me një frymë “Parajsën artificiale”, librin e fundi të Ben Blushit dalë këtë panair libri që sapo kaloi. Vetëm dialog, fol e fol… Ti e ke lexuar, më pyeti. Jo, ia ktheva, por më bëre kureshtare… Dhe e lexova. Brenda ditës. Dhe ja ku po i shkruaj edhe këto radhë, shpejt e shpejt, me ndjesinë e mbetur nga ky lexim.

Teksa lexon “Parajsën artificiale” të Blushit (gjatë tërë shkrimit titullin do t’ia shkruaj të plotë, se është pikërisht ajo “artificiale” që i jep edhe ngjyresën letrare librit), nuk ka se si të mos e vësh re se po lexon një dialog të stërgjatë, të ndarë në kapituj, përmes së cilëve kupton subjektin, intrigën, absurditetin e botës ku rrojmë, artificialitetin dhe falsitetin e saj, thatësinë e varfërinë e ndjenjave e ideve, duke mos shpëtuar natyrisht, as kësaj radhe, prej ngacmimeve të Blushit në tema të mëdha, si ajo e Zotit dhe feve.

Në “Parajsën artificiale” të Blushit nuk ka letërsi nga ajo që të shpie tek yjet, ku përhumbesh, që të sjell puhizën e vakët mbrëmjeve, ku dy të dashuruar eglendisen mes verës që u ngjitet qiellzës dhe puthjeve, teksa abstragojnë mbi jetën, të ardhmen, dashurinë e tradhtinë. Jo. Tek “Parajsa Artificiale” e Blushit nuk ekziston kjo lektisje tipike në të cilën ne jemi mësuar të shohim zakonisht dy njerëz që çiftosen bashkë. Aty mbizotëron një e thënë troç e mendimeve, një lakuriqësi nga lajlet e lulet letrare, që dora-dorës teksa e bluan përmbajtjen, ndjen artificialitetin ku kanë mbërritur sot-dita marrëdhënieve njerëzore (burrë-grua, i dashur e dashur, popull-politikë) dhe falsitetin e tyre, për të shkuar drejt një të ardhme të dëshiruar, atë që Blushi e cilëson si “Parajsë artificiale”, ku vegjetimi (pa punë fizike, pa fe dhe pa para), do sjellë me gjasa lumturinë e njeriut (një tezë tjetër provokuese e Blushit kjo, kur dihet tashmë prej shumë studimeve, se botën e kanë çuar përpara ambicia dhe lufta për pushtet e pará në kurriz të atyre që kanë bërë punët më të rëndomta). Por, t’i marrim me radhë.

Po, tek “Parajsa artificiale” është një çift: ai një burrë mesomoshë i martuar, ajo një e re 27 vjeçare. Ai i gëzon rininë, ajo mençurinë, ajo pyet, ai përgjigjet, ajo me një brengë në zemër, ai me një strategji për t’ia lehtësuar. Por ky çift, është thjesht teknika që e ndihmon autorin të na rrëfejë artificialitetin ku rrojmë sot, thatësinë e ndjenjave, absurditetin e marrëdhëineve, krizën e familjeve, bajatllëkun e luftrave, që në tekst cilësohen si “një lloj ferri” prej personazheve kryesore.

Janë 24 orë që rrëfehen në libër, dialog, mes dy dashnorëve. Një dialog i thatë, ashtu si gjuha e dashnorëve që nuk ndajnë dashuri me njëri-tjetrin, një gjuhë tregtare, ti më jep trupin, unë të ndihmoj për atë që ke nevojë. Një 24 orësh, ku pikërisht përmes këtij dialogu të thatë, në dukje naiv dhe absurd, vijnë njëra pas tjetrës temat provkuese. Kush janë më të mirët, myslymanët, katolikët apo kristianët? Pse çifutët fitojnë gjithmonë? A janë kaq budallenj iranianët, sa të sulen në luftë për thjesht qimen e Muhamedit?

24 orë ku lexuesi shijon pjesë historie dhe analize, e po ashtu edhe postulate filozofike, të cilat jo rrallë herë gjatë leximit të bëjnë të ndalesh e të reflektosh.

Por, jo më kot në fillim të këtij shkrimi përmenda që do ta shkruaj të plotë titullin e librit, “Parajsa artificiale”, sepse është pikërisht “artificialja”, ajo që ia jep vlerën letrare këtij teksti, në dukje të thatë e pa shpirt (cilësi këto të kohës ku rrojmë). Gjithçka në këtë tekst është artificiale (lexo e rreme, një prej fushave kuptimore të të kësaj fjale), edhe marrëdhënia burrë-grua, i dashur-e dashur, sebepet për luftra, parajsat e pretenduara, gjithçka artificiale, dhe, pavarësisht se Blushi rreket të na bindë përmes gojës së Simon Shuterit, se Parajsa e krijuar prej inteligjencës artificiale, ku njeriu do rrojë i lumtur pa punë fizike, pa para e pa luftra, është ajo e duhura, sërish duket që tërë kjo dëshirë është thjesht artificiale (lexo e rreme), ashtu siç do gjë që po rreket të ndërtojë njeriu modern sot.

Por ju thashë, nuk i shpëton dot filozofimit nëse lexon “Parajsën artificiale” të Blushit, ndaj për të tërë ata që do ta marrin në duar, ju sugjeroj edhe një laps me vete, për të nënvizuar postulatet, që unë besoj se do fillojnë të citohen shpesh mes njerëzve a nëpër rrjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb