NGA FATMIRA NIKOLLI

Kishim lexuar për Kohëndrrën, kohën përpara se koha dhe kujtesa të ekzistonte, atëherë kur bota ishte e sheshtë, boshe, e paformë, kur nuk kishte as pemë, as kafshë, as ushqim, as njerëz, derisa një çast nga deti a nga qielli dolën heronjtë, të parët e tyre mitikë. Os herois creativos (heronjtë krijues), në gjuhën time këto fjalë kanë një tingull magjik, që ende më mahnit sa herë i them…”. Është një rrëfim mbi engjëjt për të cilët kemi lexuar, por nuk kemi mundur a nuk kemi pasur fatin t’i shohim.

Prej fillimit, lexuesi njihet me “Angelus Novus” të Paul Klee, ose engjëllin e historisë, mandej, shtigjet të çojnë edhe në pakohësi. “Ky roman konturohet nga reflektimet mjeshtërore mbi keqkuptimet e jetës dhe të letërsisë. Kjo vepër e shkurtër e Nooteboom-it, njëkohësisht delikate dhe therëse, shfaqet si një ëndërr që rri pezull në kohë dhe në vend”. Mbas një leximi të vëmendshëm, ky citim nga “Publishers Weekly”, me gjasë e përshkruan më së miri gjendjen (pezmin e pezullin) në të cilën të lë “Parajsa e humbur” e holandezit Cees Nooteboom (Botimet ‘Pegi’).

Romani i përkthyer nga Jerina Dushku, bashkësjell kohën, hapësirën, kujtesën, vetëdijen, humbjen e saj, realitetet e shformuara para syve tanë, çastet e njerëzit e humbur përnjëherësh, pamjaftueshmërinë e minutave për të përjetuar një mbushje të shpirtit, e mandej edhe kujtesën si nostalgji e dëshmitare të pamundësisë. Një mbrëmje vere, një grua braziliane del shëtitje ndërsa ngjarjet që pasojnë bëjnë që ta shohim të shtrirë pranë një burri që fle, në Australi. Alma rreket të harrojë të shkuarën kur me shoqen e fëmijërisë jeton me iluzionin që ekziston ende ajo botë e pacenuar e jashtë kohe, vendi i aborigjenëve, i Kohëndrrës – e nëse kjo nuk është, në ato hapësira të pafundme e të heshtura diçka a ka mbetur prej saj?

Në Australi kritiku letrar Erik Zondah, në luftën e tij ekzistenciale, takon për herë të parë Almën – si një grua me flatra, ndërsa disa vargje të shkrimtarit John Milton shërbejnë si pikëtakim. Ikje në errësirë, malle të forta, kujtesa si një “xhandar mizor” në shërbim të malleve të pashuara, vijnë në roman njëra pas tjetrës, ndërsa radhët sjellin shënime në qiell e në tokë. Bota e aborigjenëve është “streha jonë më e mbrame” kur në botët tona, pesha kujtimeve rëndon më tepër se ne; mandej ajo mundet të jetë edhe paqja, a lehtësia e shpirtit që ndjehet po aq sa një flatrim engjëjsh, a që na bën ne, po aq të lehtë sa një pendë.

“Si mund të përkthehej në diçka të kuptueshme ëndërrimi që nuk ka asnjë lidhje me ëndërrimin, por është një fjalë më vete që përçon një rend të tërë botëror, që nga origjina e universit deri te koha përpara se të lindte kujtesa?”. Cees Nooteboom, i lindur në 31 korrik 1933, është shkrimtar, poet dhe gazetar holandez. Ai ka fituar shumë çmime letrare dhe përmendet shpesh si një nga kandidatët për çmimin “Nobel” në letërsi. Vepra e tij përfshin poezinë, narrativën, dramaturgjinë, komedinë dhe kronikën e udhëtimit përkthyer në më shumë se 30 gjuhë. Si gazetar ka ndjekur nga afër tri momentet më kyçe të historisë europiane në pjesën e dytë të shek. XX: pushtimin e Budapestit më 1956, kryengritjen e Majit francez më 1968 dhe rënien e murit të Berlinit më 1989.

Shumë kritikë e konsiderojnë si pararendës të Beat Generation. Sidomos pas vitit 1980, kritika ka vlerësuar gjithnjë e më shumë veprën e Noteboom-it, duke e konsideruar si një nga shkrimtarët europianë me ironi të spikatur, filozof depërtues, historian i vëmendshëm, udhëtar kureshtar dhe i pasionuar. Është krahasuar me autorë si Borges, Calvino dhe Nabokov dhe është quajtur nga New York Times “një nga zërat më të lartë në korin e autorëve bashkëkohorë”. Është nderuar me çmime të shumta në Holandë, si Constantijn Huygens Prijs (Çmimi Konstantijn Hugens – për nder të poetit, shkrimtarit, diplomatit dhe kompozitorit më të madh holandez të shek. 17) dhe Prijs der Nederlandse Letteren (Çmimi i Letërsisë Holandeze), që jepet për shkrimtarët që shkruajnë në holandishte.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: