Belind Këlliçi, drejtuesi politik i PD për Tiranën, ka publikuar një video ku akuzon zyrtarin e PS, Gent Myrto, për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Ai e cilëson Myrton si hajdut tokash dhe e akuzon për blerje votash e intimidim të qytetarëve. Këlliçi thotë se kallëzimi ndaj tij është mbyllur nga SPAK.
Belind Këlliçi: Kjo është një zonë që fjalët i do shkurt dhe në lule të ballit për të vërtetat e këtyre njerëzve. I bëj thirrje Gent Myrtos, do ta nis me Gent Myrton, hajdutin më të madh të tokave në Shqipëri. Nëse ka pasur një grup të strukturuar kriminal në Bashkinë 5D në Tiranë, ai grup është replikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë këtu në Vaqarr. Kryesohet nga Gent Myrto, njeriu që gjysmës së këtyre njerëzve këtu iu ka vjedhur tokat, njeriu që përdor 5 apo 6 familjarë, miq, të afërm, për të transferuar tokat në emër të tyre, për shitje, për të luajtur me gjakun e këtyre banorëve këtu të Tiranës.
Njeriu që e kemi denoncuar më 2021, për blerje votash, që vazhdon të blejë vota, që punon për PS-në i pashqetësuar, që SPAK ia mbylli hetimin, bazuar në kallëzimin që bëra unë në SPAK. Ai del së bashku me një tjetër person, Arian Popli, në zonën e Prushit, dalin e blejnë votat, intimidojnë qytetarët, për të mbajtur në këmbë Edi Ramën, që ka 12 vite që vjedh këta qytetarë, bashkë me Erion Veliajn, që shtëpitë e tërmetit ua shpronësoi pronarëve të tokave me çmim 4800 lekë të vjetra /metër katror, në një zonë, ku metri është së paku 100/120/150 euro. Ky grup kriminal ka në përbërje përveç Gent Myrtos, edhe Besmir Kolën e Pezës, edhe Xhavit Çekën e Ndroqit. Me të gjithë, ne do të merremi një më një.