Ndërsa zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence po viziton Amerikën Latine, me synim uljen e tensioneve, pas kërcënimeve të presidentit Donald Trump, për mundësi të aksionit ushtarak në Venezuelë, lideri i këtij vendi, Nicolas Maduro, ka tentuar të rrisë pushtetin e tij, duke organizuar një protestë “anti-imperialiste”. Marshi ka nisur gjatë ditës së hënë dhe pritej të përfundonte në pallatin presidencial, ku Maduro do të mbante një fjalim para protestuesve.

Në Kartagjenë, Pence tha se administrata e SHBA-së, është e bindur se mund të gjendet një zgjidhje paqësore në Venezuelë. Në këtë vend kanë vdekur më shumë se 120 persona që nga muaji prill, në protestat kundër Maduros.

Maduro, nga ana tjetër u shpreh se vendi duhet të jetë i bashkuar në frymën socialiste, në mënyrë që të mbrohet nga ndërhyrja e SHBA-së, e cila sipas tij ka si qëllim pushtimin e burimeve të naftës në këtë vend. Marshi ka nisur në sheshin kryesor ku mijëra protestues, kanë thirrur: Venezuela dhe Amerika Latine kundër perandorisë. 
(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb