Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave apo javës që vjen, Gjykata Speciale do të kryejë arrestimet e para në Kosovë. Lidhur me paralajmërimet e numrit dy të OVL-së së UÇK-së për arrestime të mundshme nga Specialja përgjatë këtij muaji, Express, përmes një emaili ka kërkuar një përgjigje nga Gjykata Speciale.

Christopher Bennet zëdhënës i kësaj Gjykate, ka thënë se për shkaqe etike dhe ligjore nuk mund t’i komentojnë çështjet operacionale, dhe nuk ka pranuar që të japë detaje rreth afateve kohore. Ai më tej ka sqaruar që në rast se autorizohen mund të ndjekin penalisht individët, rreth krimeve të cilat pretendohen në Raportin e Këshillit Evropian të vitit 2011 e në të cilin flitet për “trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.

“Gjykata Speciale nuk komenton çështjet operacionale apo afatet kohore për arsye, etike, profesionale e ligjore. SPO ka mandat për të hetuar dhe, nëse autorizohet, të ndjekë edhe penalisht individët për krimet e pretenduara në Raportin e Këshillit Evropian të janarit të vitit 2011 “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë ”, i cili do të vazhdojë të zbatohet”, -ka thënë Benett për Express.

Deklaratat për arrestime të mundshme nga Specialja gjatë këtij muaji i bëri dhe Nasim Haradinaj.Në bazë të disa avokatëve me të cilët kemi bashkëpunim, sepse ne kemi bashkëpunim me ta , priten arrestime këtë jave dhe javën tjetër. Por nëse jo gjatë këtyre javëve, gjatë muajit gjithsesi”, tha Haradinaj. Ndryshimet Kushtetuese që i kishin hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale u votuan me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 3 gusht të vitit 2015.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: