Vetëm disa orë përpara se dhjetëra miliona amerikanë të drejtoheshin në qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale, agjencitë amerikane të zbulimit lëshuan një paralajmërim rreth përpjekjeve të huaja për të nxitur dyshime në procesin e votimit dhe duke paralajmëruar se përpjekjet rrezikojnë të nxisin dhunë kundër zyrtarëve të zgjedhjeve.
Në një deklaratë të përbashkët të hënën vonë, zyrtarët federalë vunë në dukje një artikull të fundit të postuar nga aktorë rusë duke pretenduar në mënyrë të rreme se zyrtarët amerikanë po organizonin një plan për të kryer mashtrime, si dhe një video që përshkruante në mënyrë të rreme një intervistë me një individ, i cili pretendonte për mashtrime zgjedhore në Arizona.
Agjencitë zbuluan se aktorë të lidhur me Rusinë “po prodhojnë video dhe shkruajnë artikuj të rremë për të dëmtuar legjitimitetin e zgjedhjeve, për të ngjallur frikë tek votuesit në lidhje me procesin zgjedhor dhe për të sugjeruar se amerikanët po përdorin dhunë kundër njëri-tjetrit për shkak të preferencave politike”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, FBI-ja dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara. “Këto përpjekje rrezikojnë të nxisin dhunë, duke përfshirë edhe atë kundër zyrtarëve zgjedhorë”, thuhet në deklaratë.
Një zëdhënës i ambasadës Ruse nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të dërguar nëpërmjet postës elektronike.
Zyrtarët federalë paralajmëruan se Rusia ka të ngjarë të publikuar “përmbajtje të prodhuar” shtesë në ditën e zgjedhjeve dhe përbën “kërcënimin më aktiv” kur bëhet fjalë për ndikimin e huaj zgjedhor. Deklarata gjithashtu vuri në dukje se Irani mbetet një “kërcënim i rëndësishëm për zgjedhjet në SHBA”.
Përpjekja e përshkruar nga zyrtarët federalë është pjesë e një operacioni me ndikim të gjerë nga Rusia, i projektuar për të dëmtuar besimin në procesin zgjedhor dhe për të mbjellë mosmarrëveshje midis votuesve amerikanë. Agjencitë e Zbulimit kanë vlerësuar se Rusia, e cila gjithashtu ndërhyri në favor të zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ato të vitit 2020, përsëri preferon kandidatin republikan dhe ka të ngjarë të vazhdojë me operacionet e saj të ndikimit edhe pas ditës së zgjedhjeve.
Përveç videove të prodhuara që synojnë shpërndarjen e dezinformatave, zyrtarët amerikanë kanë akuzuar gjithashtu mediat shtetërore ruse për një operacion të fshehtë, shumëmilionë dollarësh për të përhapur përmbajtje pro-ruse tek audienca amerikane dhe kanë hapur dhjetëra faqe interneti, për të cilat ata thanë se nxisin propagandë.
Në deklaratë, zyrtarët gjithashtu tërhoqën vëmendjen për përpjekjet e Iranit për të ndërhyrë në zgjedhje, të cilat përfshijnë një operacion hakerimi dhe rrjedhjeje informatash për të dëmtuar kandidaturën e zotit Trump. Departamenti i Drejtësisë në shtator akuzoi tre hakerë iranianë për këto përpjekje.
Aktorët iranianë gjithashtu kanë krijuar faqe lajmesh të rreme dhe kanë imituar aktivistë në internet, në përpjekje për të lëkundur votuesit, sipas analistëve të kompanisë Microsoft. Gjiganti i teknologjisë tha muajin e kaluar se aktorët iranianë që dyshohet se dërguan emaile që synonin frikësimin e votuesve amerikanë në vitin 2020, kanë vëzhguar faqet e internetit të lidhura me zgjedhjet dhe mediat kryesore, duke ngritur shqetësime se mund të përgatiteshin për një skemë tjetër këtë vit.
Ndërsa kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe zyrtarët e zbulimit kanë paralajmëruar për ndërhyrjen e huaj në këtë cikël zgjedhor, Rusia, Kina dhe Irani kanë hedhur poshtë pretendimet se po synojnë të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane.
Një video në Arizonë, e shpërndarë në mediat sociale nga aktorët rusë të hënën, supozohet se tregon një sinjalizues të paidentifikuar që zbulon një skemë mashtrimi zgjedhor. Zyrtarët federalë thanë se zyra e Sekretarit të Shtetit të Arizonës tashmë e kishte hedhur poshtë përmbajtjen e videos.
Në fillim të kësaj jave, zyrtarët amerikanë konfirmuan se një video që pretendonte se tregonte mashtrimin e votuesve në dy qarqe me prirje të majtë në Gjeorgji ishte e rreme dhe prodhim rus. Muajin e kaluar, ata ia atribuuan Rusisë një tjetër video të rreme të një personi që griste fletët e votimit në atë që dukej të ishte Bucks County në Pensilvani./VOA/