Milani është në gjendje të mirë dhe prapavija me Zapatën dhe Muzakion nuk e shqetëson edhe aq shumë Rino Gatuzon. Në konferencë për shtyp trajneri kuqezi sqaroi se: “Ndaj Napolit do të duhet një paraqitje e madhe sepse problemet në mbrojtje nuk ekzistojnë.

Bonuçi dhe Romanjoli vërtet do të mungojnë, por besimi im ndaj Zapatës që do të shkojë në Botëror me Kolumbinë dhe Muzakios është i pakushtëzuar. Na duhet vazhdimësi në rezultate, ndaj pa dyshim që në fushë do të zbresim vetëm për tre pikë”. Me shtatë javë të mbetura, kuqezinjtë do të mundohen të mbajnë gjallë ëndrrën Champions, e cila më shumë sesa një objektiv ngjan me një mision të pamundur.

Ai që duket i mundur, është hovi cilësor për të cilin janë të detyruar djemtë e Gatuzos. “Nuk mjafton shpirti i garës, pasi për të qenë në lartësinë e duhur duhet edhe karakteri, teknika dhe dëshira. Ndaj Sasuolos luajtëm shumë mirë, e megjithatë nuk morëm dot maksimumin. Skuadra nuk është e lodhur sepse e kemi vërtetuar ndaj disa kundërshtarëve gjendjen tonë. Ndaj Napolit nevojiten disa elementë, koka dhe këmbët duhet të punojnë në sinkron”.

Të përveçëm
Donaruma feston sot 100 ndeshje si kuqezi dhe trajneri është gati të vërë bast symbyllur për talentin e katërkëndëshit, por me kusht që ai të vijojë punën dhe sakrificat. Siç shpjegoi edhe Rino në fjalën e tij: “Xhixho ka gjithçka duhet për të qenë më i miri në rolin e tij, por me kusht që të mos vetëkënaqet kurrë. Puna dhe sakrificat janë rregulli i parë për një futbollist elitar, aq më tepër për një portier.
gatuzo11-470x313-470x313
Për Reinan sot për sot nuk dua t’ia di, kur të vijë te Milani do ta presim krahëhapur”. Asnjë problem edhe për Suson dhe Kaliniçin që gjatë javës janë stërvitur të veçuar, teksa një koment më vete Rino ia kushtoi homologut Mauricio Sarri, për të cilin tha: “Ka treguar me fakte se është një trajner i madh. Nuk mund të krahasohem me të as për sa i përket pamjes së jashtme. Unë e konsideroj një mjeshtër të profesionit, nga i cili duhet të mësoj ende shumë”.

KUPAT, BUFONI DHE VAR-I
Skuadra e tij, por edhe futbolli italian janë pika e dobët e Gatuzos, i cili ndihet shumë krenar për situatën në përgjithësi. Fjalë të ëmbla në veçanti për Xhixhi Bufonin, të cilin edhe e justifikoi për “shfryrjen” e Madridit, duke thënë: “Ndeshjet e Romës dhe Juventusit më bënë shumë krenar sepse pashë gjëra që i bëjnë mirë futbollit italian.

Personalisht, mua më ka kapërcyer shpesh damari dhe nuk jam njeriu i duhur për të dhënë opinione për një figurë të madhe si Xhixhi. Mund të them që në Itali kemi fatin që sistemin VAR mund ta përdorim, shpresoj që edhe nëpër vende të caktuara, njerëz të caktuar të arrijnë një marrëveshje që teknologjia të përdoret edhe nëpër kupat europiane”.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/paralajmerimi-i-gatuzos-dua-nje-ndeshje-te-madhe-duhet-vazhdimesi-ne-rezultate/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: