TIRANE – Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave, kryeministri Edi Rama tha se e gjitha ishte meritë dhe jo dhuratë e europianëve.

Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare kreu i qeverisë tha se rol të rëndësishëm luajti reforma në Drejtësi dhe ligji i Vettingut.

Rama u shpreh se sistemi i drejtësisë nuk do të mjaftohet vetëm me gjykatësit e prokurorët, por edhe me politikanët e zyrtarët e lartë.

“Faza e re kërkon jo vetëm sistemi të pastrohet nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar por të veprojë si një sistem i pastër ndaj kujtdo që ka hesape për të larë me drejtësinë. Nuk do të mjaftojë që gjykatësit e prokurorët të largohen por të përgjigjen. Ashtu sic duhet të përgjigjen politikanët dhe zyrtarët e lartë përballë një drejtësie nga gjykatësit e çliruar nga korrupsioni.

Është një fazë e re e vështirë që do të kërkojë zbatimin në realitet të forcës së sistemit të drejtësisë në raport me shkelësit e ligjit,” u shpreh ai.

“Shqipëria sot ka fituar një staturë të re, dhe rekomandimi është një dëftesë kuptimplotë që mishëron kryerjen e detyrave të shtëpisë nga vendi ynë në funksion të çeljes së negociatave për anëtarësim. Do të thotë se duhet shumëfishuar puna. Dua të theksoj që KE është një mekanizëm i pamëshirshëm në leximin e çdo aspekti që lidhet me detyra e dhëna. Rekomandimi për hapjen e negociatave është bazuar në një element, në meritë. KE nuk bën dhurata dhe as nuk ka bërë ndonjëherë gjeste bujarie për askënd. Në këtë proces për Shqipërinë, kanë pasur rolin e tyre të gjitha aspektet por themelore ka qenë beteja jonë për Vettingun, betejë të cilën e zhvilluam me forcë e vendosmëri në kushtet kur ishim vetëm.

Vendi fiton një fuqi të re tërheqëse në aspektin ekonomik, fuqi bindëse për investime të huaja, për të rritur praninë e kompanive të mëdha që krijojnë punë, dhe që hapin rrugën për të krijuar një punë të re në shpërblimin e punës. Nëse shohim se çfarë shkruhet në këtë raport kemi pasqyrën e një progresi shumë të rëndësishëm që përbën bazën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik e social të vendit,” tha Rama.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: