Pakënaqësitë e mëdha me projektligjin e pagave që ka miratuar tashmë Kuvendi i Kosovës po vazhdojnë ende.

Të revoltuar me këtë projektligji janë edhe sindikatat e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ajo e Kontrollorëve të Trafikut Ajror dhe e Punëtorëve të Kontrollit Ajror.

Këto sindikata kanë paralajmëruar edhe bllokadë totale të Aeroportit të Prishtinës, ‘Adem Jashari’.

Ata konsiderojnë se me këtë projektligj po cenohet autonomia e tyre, pasi po preken pagat e një personeli profesional dhe po çrregullohet puna e tyre.

“ Më 13 shkurt do të jetë greva një oreshe. Nëse nuk kthehet prapa projektligji për paga nga ana e presidentit, greva do të përshkallëzohet dhe pas katër apo pesë dite aeroporti do të bllokohet 24 orë”, thuhet në njoftimin e këtyre sindikatave.

Sipas tyre deri tash i kanë humbur 10 nga 32 kontrollorët e trafikut ajror, të cilët e kanë vazhduar karrierën e tyre si kontrollor të trafikut ajror në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Evropën Perëndimore.

Njëjtë ka ndodhur me inxhinierë të sistemit të radarit dhe parashikues të meteorologjisë aeronautike.

Në fillimi të këtij muaji Kuvendi i Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim ka miratuar Projektligjin për Pagat në sektorin publik.

Ndryshe, Projektligji për Paga ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta gjatë javëve të fundit.

Në shenjë pakënaqësie me këtë Projektligj, për tri javë rresht kanë qenë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb