Terrorizëm në Itali, alarm maksimal për ditën e sotme, sinjalizohet prania e dy terroristëve në territorin italian për një sulm të stilit “Bataclan” që ndodhi më 13 nëntor të vitit 2015 në Francë. Kështu shkruajnë mediat italiane sot.

“Alarm për sulm terrorist në Itali. Është dhënë gjatë natës së kaluar një alarm mes forcave të rendit për një kërcënim terrorist gjatë ditës së sotme”. Këtë gjë e raporton e përditshmja online “Open” e themeluar nga Enrico Mentana.

Sipas saj, në raportin sekret flitet për një stil ekzekutimi siç ndodhi në masakrën e Bataclanit në Francë në nëntor 2015.

Dy burra të kombësisë shqiptare po kërkohen në të gjithë Italinë. Bëhet fjalë për Battar Nabiyula, i njohur gjithashtu si Maximilian Defilade ose Bardhyl Hoxha dhe është 46 vjeç; tjetri i quajtur Bujar Hysa, midis 40 dhe 48 vjeç.

Duke marrë parasysh që deri më tani Italia nuk ka qenë kurrë skenë e sulmeve, alarmi është maksimal. Në raport – siç shkruan gjithmonë portali – agjentëve dhe ushtarakëve iu bëhet thirrje të “kenë vëmendje maksimale, duke zbatuar çdo sistem sigurie dhe mbrojtjeje në rast të kontrollit të personave të dyshimtë”.

Teatri Bataclan në Paris ishte një prej shenjestrave të sulmit nga terroristët e Shtetit Islamik, pas stadiumit Stade de France në Saint-Denis dhe të shtënave në masë dhe shpërthimit të një kamikazi në kafe e restorante në kryeqytetin francez. 130 persona u vranë dhe 413 të tjerë u plagosën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb