Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se burgosja e tij është dëshmia më flagrante e dhunimit të Kushtetutës, ligjeve dhe opozitës së këtij vendi.
I pyetur nëse do të japë shembull të mosbindjes civile duke mos iu bindur vendimit të gjykatës dhe të dalë në protestë, Berisha tha se po qëndron si çdo protestues i pamposhtur.
“Unë mendoj se vetë burgosja ime në shtëpi është dëshmia më flagrante e dhunimit të Kushtetutës, ligjeve dhe opozitës së këtij vendi. Por mendoj se po qëndroj si çdo protestues i pamposhtur.
Siç e shihni ju, ata që 3 vite më parë shpallën non-grata Sali Berishën mbi bazën e lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit, ata që duke shkelur çdo parim të vendit të tyre dhe parim ndërkombëtar, erdhën dhe kërkonin persekutimin dhe ndjekjen penale të Sali Berishës, Edi Rama që bënte thirrje për persekutimin e Sali Berishës, pas një procesi 4-vjeçar, morën përgjigjen më ekzemplare”, tha Berisha.
Ai shtoi: “Kjo përgjigje ishte kjo, që Sali Berisha, një politikan, një shtetar që nga vitet ’90 gjer sot, kishte nderuar veten e tij, familjen e tij, ligjet e vendit të tij, qytetarët e kishin besuar dhe miqtë e tij në mbarë botën.
Pas 32 vitesh në detyra nga më të lartat, doli se ish-presidentit, ish-kryeministrit të Shqipërisë, njeriu i vetëm që i kishte paguar pushime apo shërbim shëndetësor, ishte vajza e tij dhe dhëndri i tij.
Doli se asnjë nga familjarët e tij dhe ai vetë, nuk kishin përfituar qoftë dhe një qindarkë nga tendera, prokurime apo pasuri publike”.
Ai tha se atyre që ndërmorën procesin kundër Sali Berishës për të ndihmuar Edi Ramën dhe konsoliduar pushtetin, u mbetet turpi sot dhe në të gjitha kohërat.
“Unë besoj se me këtë është një nga shërbimet e mëdha historike që unë i kam bërë kombit shqiptar dhe çdo njeriu.
Dhe e kam theksuar shumë herë, ndjehem i lehtësuar sot shumë, se kur unë i deklarova në letër publike shkëlqesisë së tij, Entoni Blinken, zoti Sekretar, ky dizenjim ka në bazë keqinformimin e bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit”, deklaroi Berisha.
“Unë njëkohësisht i thanë se në momentin e parë që të nxirrni një letër, një dokument, një shkresë, një provë të vetme që të faktoni atë që keni shkruar, Sali Berisha largohet përgjithmonë nga politika.
Koha provoi se në fakt në këtë hetim të mercenarëve të Edi Ramës brenda, por edhe të hetuesve të tjerë jashtë, intensiv, gjetën turpin e tyre.
Pra, ajo që bëra unë, qëndrova si shqiptar dhe kjo besoj ishte më e madhja ndoshta që kam bërë në jetën time”.