Ndërsa Siria e re përpiqet të marrë formë, kërcënimet e vjetra po rishfaqen. Kaosi që nga përmbysja e Bashar al-Assad-it po “i hap rrugën” të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) për t’u rikthyer fuqishëm, sipas një komandanti kryesor kurd që ndihmoi në mposhtjen e grupit xhihadist në Siri në vitin 2019. Ai thotë se rikthimi tashmë ka filluar.
“Aktiviteti i Daesh [IS] është rritur ndjeshëm dhe rreziku i një ringjalljeje ishte dyfishuar”, sipas gjeneralit Mazloum Abdi, komandant i Forcave Demokratike Siriane (SDF), një aleancë e milicisë kryesisht kurde e mbështetur nga SHBA. “Ata tani kanë më shumë aftësi dhe më shumë mundësi”.
Ai thotë se militantët e IS-it kanë konfiskuar disa armë dhe municione të lëna pas nga trupat e regjimit sirian, sipas raporteve të inteligjencës. Dhe ai paralajmëron se ekziston “një kërcënim real” se militantët do të përpiqen të hyjnë në burgjet e SDF-së këtu në veri-lindje të Sirisë, të cilat mbajnë rreth 10,000 nga njerëzit e tyre. SDF po mban gjithashtu rreth 50,000 anëtarë të familjeve të tyre në kampe.
Gjenerali kurd përshëndeti rënien e regjimit të Asadit – i cili e arrestoi atë katër herë. Por ai dukej i lodhur dhe pranoi se ishte i zhgënjyer nga perspektiva për të luftuar edhe një herë betejat e vjetra. Ne luftuam kundër tyre [IS] dhe paguam 12,000 jetë të humbura”, tha ai, duke iu referuar humbjeve të SDF. “Unë mendoj se në njëfarë niveli do të duhet të kthehemi atje ku ishim më parë.”
Rreziku i një ringjalljeje të IS-it është rritur, thotë ai, sepse SDF po përballet me sulme në rritje nga Turqia fqinje – dhe fraksionet rebele që ajo mbështet – dhe duhet të devijojë disa luftëtarë në atë betejë. Ai na thotë se SDF-së i është dashur të ndalojë operacionet kundër terrorizmit kundër IS dhe qindra roje burgu – nga një forcë prej mijëra vetësh – janë kthyer në shtëpi për të mbrojtur fshatrat e tyre.
Ankaraja e sheh SDF-në si një zgjatim të separatistëve kurdë të ndaluar të PKK-së, të cilët kanë zhvilluar një kryengritje për dekada dhe janë klasifikuar si terroristë nga SHBA-ja dhe BE-ja. Turqia ka kërkuar prej kohësh një “zonë tampon” 30 km në rajonin kurd në Sirinë verilindore. “Kërcënimi numër një është tani Turqia, sepse sulmet e saj ajrore po vrasin forcat tona”, tha gjenerali Abdi. “Këto sulme duhet të ndalen, sepse po na shpërqendrojnë nga fokusimi në sigurinë e qendrave të paraburgimit,” tha ai.
Brenda Al-Sina, burgu më i madh për të burgosurit e IS, ne pamë problemet e sigurisë dhe ndjemë tensionin mes stafit. Ish-instituti arsimor në qytetin e Al-Hasakah mban rreth 5,000 burra – luftëtarë të dyshuar ose mbështetës të IS./BBC/