Ish-deputeti demokrat, Albo Bumçi, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në mars të vitit 2020, pasi në të kundërt opozita e bashkuar do të nisë valën e protestave, të cilat sipas tij, nuk do të jenë një shëtitje në bulevard.


“Nga shkurt, kanë qenë pesë muaj të paprecedentë në historinë e protestave të Shqipërisë. Nuk kemi parë të tilla, e tregoi edhe stadiumi “Rama ik”. Kjo gjendje protestash pesëmujore ndaluan për shkak të gushtit dhe ne nuk deshëm që para procesit për integrimin, deri më 18 tetor, të dukeshim sikur ishim ata që po pengonim Shqipërinë, kur në fakt është kriza e rëndë.


Në momentin që ne mbarojmë Reformën Zgjedhore dhe Shqipëria ka gati një bazë ligjore për zgjedhje, ndërkohë janë ngritur dhe institucionet kryesore të drejtësisë, duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, në pranverë, në mars. Kjo është zgjidhja. Nëse nuk ndodh kështu, ne do të dalim në protesta, të cilat nuk do të jenë më një shëtitje në bulevard”, deklaroi Bumçi.


Ndërsa, duke komentuar takimin e Presidentit Ilir Meta me krerët e opozitës së bashkuar, ish-deputeti tha se vendi ndodhet në krizë dhe se të gjitha palët duhet të marrin përgjegjësi.

“Në kohë krizash, njerëzit duhet të marrin përgjegjësi, këtë gjë po bën opozita dhe Presidenti, këtë gjë duhet të bëjnë të gjithë. Kriza është shumë e rëndë. Shqipëria është e sëmurë, po lëngon. Është kancer, që i ka prekur organet vitale të trupit. Ekonomia është në krizë shumë të rëndë. Duhet zgjidhje dhe zgjidhja vjen me zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme. Sa më gjatë të zgjasë kjo, do të çojë në një situatë, që do jetë e vështirë ta rikthejmë. SHBA ka parashikuar deri në 1 milion shqiptarë të largohen.

Shkaktari i krizës është Edi Rama. Ke një person të plotfuqishëm, që arriti të bëjë aktin më të frikshëm, të shkelë Kushtetutën. Një anëtar u fut për të shkelur Kushtetutën, për t’i marrë Presidentit të drejtën kushtetuese. Rama e zhduku Gjykatën Kushtetuese për dy vjet dhe tani që po ngrihet thotë “dua ta kontrolloj plotësisht”. Do kemi qumësht dallëndysheje, kur të mbarojë Reforma në Drejtësi”, tha ish-deputeti.

Si i keni parë lëvizjet e Metës në kuadër të zgjidhjes së këtij ngërçi?
Dekreti i Presidentit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit është bazuar në ligj dhe nuk është kundërshtuar nga asnjë gjykatë. Presidenca është i vetmi institucion i pa kapur. O do të ketë zgjedhje të parakohshme, o për ndryshe zgjidhja është Gjykata Kushtetuese. Nuk ka zgjidhje tjetër, gjykatat po kapen, gjykatat janë kapur, çfarë zgjidhje tjetër kemi ne. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, për pak kohë do ofrojmë platformën për Reformën Zgjedhore. Gjermanët, lokomotiva e Evropës, kanë vendosur tre kushte, që lidhen vetëm me zgjedhje: të zgjidhet kriza e rëndë, të ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe të bëhet e zbatohet Reforma Zgjedhore.

A do bëhet mirë kjo Reformë Zgjedhore dhe kur?
Me ligjin tonë zgjedhor, po ta çojmë në Kosovë e Maqedoni të Veriut bëhen zgjedhje të lira. Ne do ofrojmë një platformë për zgjedhjet, OSBE ka raportin e vet, le t’i bashkojmë këto dhe të bëjmë një reformë të mirë. Sot, ky vend është në një koma të rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb