NGA ARTAN RAÇA
A ia mbërrin dot arkitektura transparente ta bëjë më transparente jetën që zhvillohet brenda saj? A i shkon pra për shtat transparenca arkitekturës? Në fakt transparenca ka qenë këto njëqind vitet e fundit tendenca kryesore, bile dhe nganjëherë fiksimi i përhershëm i arkitekturës. E gjithë epoka jonë duket se është e magjepsur pas idesë së transparencës. Që prej antikitetit arkitektura ka ardhur duke u bërë më imateriale, më e lehtë, por a është ajo me të vërtetë më transparente në procesin e saj, nga idea e deri në materializimin e plotë.

Duket si paradoks por sa më tepër teknollogjizohet e përparon arkitektura, sa më të lehta dhe transparente bëhen materialet me të cilat punon ajo aq më e vështirë duket se bëhet transparenca e procesit arkitekturor, prandaj është qesharake dhe naive të bashkosh idenë e transparencës dhe të lehtësisë me idenë e modernes dhe të bashkohores, ashtu si kundër opaciteti , pra pesha e masiviteti i murit të bashkohet me idenë e së shkuarës, të së vjetrës e të prapambeturës.

Pikërisht duke kërkuar për të sqaruar këtë çështje jo veçanërisht arkitekturore u ndesha me një esse të filozofit Bruno Latour**, i cili duke u ndihmuar nga tansparenca arkitekturore, nga ana tjetër shtron pyetjen se a i shkon për shtat transparenca politikës, duke i përqasur këto dy transparenca që në pamje të parë duken tepër larg. Në fakt kjo lidhje midis arkitekturës e politikës nuk është e rastësishme për sa kohë nuk është e rastësishme që lindja e qytetit është e njëkohëshme me lindjen e politikës, duke qenë se politika parasëgjithash është administrim i punëve të qytetit. Nga ana tjetër arkitektura si pjesë e aktivitetit të një shoqërie është e detyruar të punojë në përmbushjen edhe të kërkesave të politikës dhe një prej këtyre rasteve, ndoshta më përfaqësuesi është rikonstruksioni i godinës së Reichstag-ut në Berlin, streha e parlamentit gjerman, arkitektura e të cilit ka lindur si një tentativë për të ndihmuar në realizimin e një politike transparente.

Godina-e-Reichtag-ut-në-Berlin
Godina e Reichtag-ut në Berlin

Kupola-e-qelqtë-mbi-sallën-e-parlamentit
Kupola e qelqtë mbi sallën e parlamentit

Ky projekt u realizua nga arkitekti anglez Norman Foster pas një konkursi ndërkombëtar dhe përfundoi në vitin 1999, duke synuar të ishte simboli i rindërtimit të Berlinit të ri pas rënies së murit dhe bashkimit të dy Gjermanive. Pjesë e këtij projekti ka qenë dhe ndërtimi i kupolës së qelqtë mbi sallën e parlamentit, që kërkon të simbolizojë transparencën e ligjëvënësve dhe në përgjithësi të politikës gjermane. Brenda kupolën e përshkuan një pandus në formë spirale i cili i çon njerëzit deri në majë, por njëkohësisht ata mund të shikojnë edhe sallën poshtë duke qenë se edhe ajo është e mbuluar me xham, një simbolikë e fortë arkitekturore, e cila synon të përforcojë idenë e një politike transparente ndaj popullit dhe njëkohësisht kontrollin e vazhdueshëm të këtij të fundit mbi të, por që për filozofin Bruno Latour nuk vlen shumë dhe transparenca që synohet është e parealizueshme. Unë do doja të sqaroja edhe më tej këtë koncept, por çdo referencë apo krahasim profesional mu duk i tepërt dhe aspak shterues përballë asaj që paraqet filozofi Latour, në përballjen midis arkitekturës dhe politikës.
Unë për veten time po e mbyll këtu dhe për të kuptuar më mirë atë që nisa në krye, po ju lë të ndiqni argumentat që sjell ai në shkrimin e tij, i konceptuar si një bisedë midis filozofësh me titull:
Politika, ky objekt i errët.***

A i shkon për shtat transparenca politikës?
– Nuk mund ta mohosh që politika duhet të jetë transparente.
– Sigurisht që e mohoj. Të kërkosh që politika të mos jetë opake është qesharake, do të ishte pak a shumë… nuk e di… njësoj sikur të fusësh parlamentin nën një kupolë qelqi, siç bënte gjyshja ime me orët.

– Do të thuash siç ka bërë Norman Foster në Berlin me Reichtag-un?

– Po, tamam ashtu. E kisha harruar këtë rast. Për aq sa mund të them unë, është një metaforë politike jashtëzakonisht e dobët.

– Përkundrazi, më duket një ide e bukur. Tregon se sa vlerë i jepet transparencës në politikën gjermane.

– Veçse në të vërtetë deputetët nuk mund ti shohësh asnjëherë gjatë punës, sepse hyrja në kupolë kur ata janë në seancë është e ndaluar. E çfarë procesi transparent mund ti thuash këtij! Në këtë kuptim jam në një mëndje për ta quajtur një leksion të bukur që vërteton pikërisht të kundërtën: transparenca është gjithmonë mashtrim.

– Mos më thuaj se të pëlqejnë pazaret midis politikanëve pa pikë besueshmërie në dhomat plot tym duhani. Për një politikan transparenca dhe besueshmëria është e domosdoshme.

– Por besueshmëri do të thotë, procedura, ligje, takime, kontrolle, paga, pra më shumë njerëz, e si pasojë, më shumë errësirë! Po ta përsëris: ideja e shtëpisë së qelqit është e parealizueshme. Sa më tepër besueshmëri të kërkosh aq më tepër burokraci do gjesh.
– Pra, ti dëshiroke që politika të jetë e tërhequr, misterioze, e fshehtë. Për mua kjo është diçka shumë afër obskurantizmit!

– Më thuaj pak, sa herë e ke hapur kofanon e makinës tënde?

– Asnjëherë: është një Mercedes E420 i vitit 1997! Nuk ka qenë e nevojshme.

– E shikon? Pra, ke besim se çdo gjë shkon mirë dhe, nëse nuk gaboj, nuk ke as më të voglën ide besoj se si funksionon motori apo paketa elektronike.

– Më duhet të them se nuk ma thotë shumë nga mekanika.

– Pra, për ty është si të thuash një lloj kutie e zezë. Dhe këtij ti i thua obskurantizëm?

– Nëse më lejon ta them është një krahasim i dobët, sepse politika në ndryshim nga E420 që kam unë, për aq sa di, në të vërtetë nuk funksionon mirë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja përse duhet ta hapim kofanon…

– Ajo që dua të them është se thirrja për transparencë nuk është gjithmonë një e mirë shpëtimtare. Në më të shumtën e rasteve duket se ti je plotësisht i kënaqur me errësirën, ose të paktën me indiferencën.

– Ti luan me fjalët. Kërkesa ime ishte shumë e qartë: dua të shoh çdo gjë që ka lidhje me mua nën dritën e diellit. Kjo është e gjitha.

– Por ajo që po të them është pikërisht se kjo është tejet e pamundur. Në qoftë se, nuk të pëlqen metafora ime automobilistike atëherë merr një godinë në ndërtim. Si thua a paraqitet ajo ndonjëherë në mënyrë tërësisht transparente? Asnjëherë.

– Une them se po! Në çdo fazë është transparente: mund të shikosh projektin gjatë fazës së projektimit; mund të hetosh brenda e jashtë modelit kur ky i paraqitet investitorëve të mundshëm; mund të analizosh detajet gjatë ndërtimit; mund të vizitosh kantierin…

– Je duke bërë hile: pjesa më e madhe e fletëve dhe e vizatimeve qëndrojnë të fshehura poshtë njëra-tjetrës; imazhet në shkallë të ndryshme janë rendering me karakter artistik; janë thellësisht mashtrime, çdo arkitekt mund të ta pohojë; dhe sa për kantierin, kush është ai që shkon për ta parë? Asnjë, për besë: përveç disa specialistëve, inxhinierëve, inspektorëve, ndërtuesve, apo disa njerezve të tjerë të zanatit dhe e gjithë kjo prapa një rrethimi tepër të lartë. Ndërtesën e plotë nuk e shikon kurrë, veçse kur ka mbaruar e tëra dhe në këtë kohë një mur mbulon një tjetër: prova më e mirë që një vepër e ndërtuar është plotësisht jo transparente është fakti se duhen një sërë vizatimesh të tjera për të treguar se ku duhen të drejtohen zjarrfikësit për shembull.

– Mirë, mirë, ndoshta e pata gabim kur thashë se është transparente, por të paktën çdo dokument, procedurë, çdo fazë e projektit ka lidhje me atë paraardhëse dhe, në këtë kuptim, mund ta analizoj hap pas hapi e të zbuloj çdo shmangie nga projekti…

– Kjo që po thua do të thotë me të vërtetë që një ndërtim është i kontrollueshëm, por jo transparent.

– Është pikërisht e njëjta gjë, në të dy rastet nevojitet besueshmëri.

– Por kontrolli dhe hetimi arrihet nëpërmjet procedurave teknike tepër të ndërlikuara të certifikimit, verifikimit, garancisë; pikërisht e kundërta e asaj që ti beson se është transparencë!

– Ndoshta nuk doja të flisja për ndërtime, motorë, procedura, por për politikë dhe po kërkoja diçka fare të arsyeshme: në politikë të ketë më tepër transparencë dhe kaq. Por, me sa duket, ti parapëlqen obskurantizmin.

– Por, ajo që po të thoja është se e gjithë metafora e “depërtimit brenda” proceseve të errëta të politikës është një kërkesë absurde që nuk mund t’i pëlqejë veçse fundamentalistëve.

– Ti je në anën e errësirës dhe më thua mua fundamentalist!

– Po, sigurisht, sepse kur i kërkon politikës të jetë transparente, bën të njëjtën gjë si dhe fanatikët me Biblën apo Kuranin kur thonë: “E vërteta flet qartë dhe pastër pa patur nevojë për interpretime”…

– Në fushën e fesë mund të jetë një kërkesë e pakuptimtë, sepse asnjë nuk di si ta interpretojë zërin e Zotit, por në politikë ka një kuptim mjaft të saktë.

– Pra, sipas teje, zërin e popullit është më e lehtë që ta dëgjosh dhe më i thjeshtë për ta respektuar, pa lënë vend për interpretime të ndryshme?

– Padyshim që jo, por kjo kërkon të dëgjosh shumë zëra e jo të fshihesh prapa proceseve të errëta të përkthimit. Ja se çfarë kuptoj me transparencë.

– Çfarë zhurme do të bënin të themi gjashtëdhjetë apo tetëdhjetë milion zëra në mospërputhje të përhershme? Do të isha tepër kureshtar ti dëgjoja.

– Sigurisht në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ishte e pamundur t’i dëgjoje.

– Ah, atëherë paska vetëm një mënyrë jo të drejtpërdrejtë?

– Sigurisht: e gjitha është diçka jo e drejtpërdrejtë, nuk ka mënyrë për ti dhënë një përfaqësim të drejtpërdrejtë…

– E shikon që kisha të drejtë? Është tamam ajo që thashë: nga vetë mënyra se si ngrihet politika, ajo është e errët, sepse duhet të kalojë nëpërmjet shumë përkthimeve.

– Mund të kesh edhe të drejtë, por unë dua të jem në gjendje të ruaj një diferencë midis fshehtësisë dhe besueshmërisë.

– Shumë mirë, jam me ty. Edhe unë e besoj këtë. Por nuk është si të vesh përballë opacitetin dhe transparencën.

– Me pak fjalë ti do që unë të heq dorë nga kërkesa që politikanët të jenë më transparentë?

– E drejtë, sepse do të bënit lojën e fundamentalistëve që pretendojnë se kanë lidhje të drejtpërdrejtë me zërin e popullit.

– Pra, për ty vox populi…

– …Është po aq e vështirë sa dhe të dëgjosh vox Dei, po. Veçanërisht sot që janë të ngatërruar me njëri-tjetrin.

– Do të thuash që këto janë misteret e pushtetit? Qeverisë sonë të tanishme do ti bëje një dhuratë të bukur…

– Jo më tepër se sa një thirrje boshe për transparencë të cilën asnjëri nuk mund ta bëjë realitet.

* arkitekt
** Bruno Latour i lindur më 1947 në Beaune të Francës nga një familje tepër e njohur verë-bërësish të Bourgogne-ës, është një sociolog, etnolog dhe filozof. Që prej vitit 2006 është profesor në Institutin e Studimeve Politike në Paris, Sciences Po, dhe prej vitit 2012 drejtues i Programit Humanités Scientifiques et Méthodes Numériques,
Veprat e tij më të njohura janë: “Ne nuk kemi qenë kurrë modern”, “Jetë laboratori”, dhe “Shkenca në veprim”. Ai është mbajtës i shumë çmimemeve ndërkombëtare.
*** Ky bashkëbisedim është marrë nga revista italiane e përmuajshme e arkitekturës,dizajnit, artit dhe informacionit, DOMUS nr 879.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: