Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në zonën e Don Boskos, pas një konflikti mes disa personave në një lokal. Gjatë ndërhyrjes, efektivët arrestuan autorin e dyshuar të plagosjes me armë dhe personin e dëmtuar, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit, rreth orës 22:00, në lokalin “Omerta”. Pas njoftimit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Gjatë kontrollit fizik ndaj Indrit Kallarit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë tip “TT”, me të cilën dyshohet se ai ka goditur Arben Merkajn në ballë me qytën e armës.

Kallari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Plagosja e rëndë”. Në vijim të hetimeve u arrestua edhe Arben Merkaj për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi, sipas policisë, nuk ka treguar rrethanat e ngjarjes dhe faktin që ishte goditur nga Kallari. Policia ka sekuestruar armën e zjarrit, si dhe pajisjen DVR të kamerave të sigurisë së lokalit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë neutralizoi një konflikt të ndodhur mbrëmë, në Laprakë, ndërmjet 2 shtetasve, njëri prej të cilëve ishte i armatosur. Goditi me qytën e pistoletës që mbante pa leje, një 47-vjeçar, për motive të dobëta, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari. Vihet në hetim 47-vjeçari, për moskallëzim të këtij krimi. Sekuestrohet arma e zjarri me krehrin dhe fishekët.

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në rrugën “Eshref Frashëri”, ndërmjet 2 shtetasve, rreth orës 21:45 të datës 24.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë në lidhje me këtë rast. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale u neutralizua konflikti, si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi I. K., 37 vjeç, banues në Krujë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me qytën e armës së zjarrit (pistoletë) që mbante pa leje, shtetasin A. M., 47 vjeç, banues në Laprakë. Në vijim të këtyre veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për 47-vjeçarin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: