“Po të mos ishte ai, rezultati i ndeshjes do të ishte minimalisht 4-0”, kështu e nis vlerësimin për Etrit Berishën faqja “Tuttomercatoweb”, e cila e ka përzgjedhur portirerin e Kombëtares shqiptare në formacionin më të mirë të javës së gjashtë të Serie A. Berisha, që u vlerësua maksimalisht nga të gjitha mediat në Apenine pavarësisht se skuadra e tij u mposht 2-0 nga kampionët e Italisë në takimin e zhvilluar në Torino.

Performanca e Berishës ishte e shkëlqyer dhe ai mohoi praktikisht edhe disa gola të sigurt në gjuajtjet e Ramsejt, Khedirës, Dibalas dhe Ronaldos, duke pritur çdo gjë që mundej dhe duke i dhënë garanci Spal-it në prapavijë, pavarësisht se mbrojtja dështoi të bënte punën e saj. Pikërisht këtë thekson edhe Tuttomercatoweb, që vë në dukjse se ndërhyrjet e portierit janë për t’u duartrokitur, sidomos ajo ndaj Ramsejt në fund të pjesës së parë dhe ndaj Ronaldos në fund të sfidës, që ishin edhe më të bukurat e takimit.

Etrit Berisha u transferua te skuadra e Spal-it në verë pasi kërkonte të vijonte të luante si titullar Serie A dhe kjo lëvizje i dha të drejtë. 30-vjeçari nga Prishtina, kërkon të dëshmojë se është ende në gjendje të garantojë paraqitje dinjitoze në nivele të larta, ndërsa paraqitjet e tij e vendosin në vështirësi të mëdha trajnerin Edi Reja, që duhet të zgjedhë mes tij dhe Strakosësh për titullarin e portës së Kombëtares.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb