2018-a është drejt fundit dhe kjo puntatë e sotme është e fundit e emisionit “Provokacija” për këtë vit. Në monologun e kësaj të premteje, Mustafa Nano bëri një parashikim se çfarë do të na sjellë viti 2019 në planin politik. Sipas tij, fillimisht do të shuhet protesta e studentëve.

“Doni t’ju bëj disa parashikime për vitin e ardhshëm në planin politik? Mirë atëherë, po provoj. Viti i ardhshëm do fillojë me shpërbërjen e protestës studentore, e cila, sidoqoftë, mund të quhet e dobishme. Sepse së pari, ekspozoi problemet që ekzistojnë brenda sistemit tonë universitar, së dyti u bë shkak që të bëhen një numër ndërhyrjesh brenda këtij sistemi, dhe së treti e rifreskoi disi jetën publike shqiptare që ishte shndërruar në një ligatinë nga cepi në cep.Por protesta nuk i dha asnjë goditje sistemit politik, e në përgjithësi rendit të gjërave. Pas kësaj proteste, të vjen të recitosh vargjet e njohura: Selanik e tatëpjetë/siç ka qenë do të jetë. Edi Rama do të jetë kryeministër deri në fund të mandatit. E do tentojë të marrë një mandat të tretë. Për këtë gjë po punon si në ethe. Nuk është se ka në kokë objektiva për të arritur. Jo, jo, ka vetëm tahmanë për pushtet dhe nuk merret vesh se për çfarë i duhet ky pushtet kur nuk ka fuqi të largojë qoftë edhe një ministër në një kohë që do duhej t’i largonte të gjithë”, u shpreh Nano.

Një tjetër ngjarje interesante për Nanon do të jetë përplasja Rama-Veliaj.

“Tani, ai vërtet nuk ka fuqi të largojë një ministër, por Erion Veliajn mund ta largojë. Ky i fundit i është bërë halë në sy. Sepse po e sfidon Frenkeinsteinin e vet, që është Rama, dhe kjo gjë në Partinë Socialiste është bërë zakon. E bëri edhe Rama me Nanon. Viti që vjen pra do të jetë viti i përplasjes së madhe mes Ramës e Veliajt. Ramës i ka shkuar në mendje ta largojë Veliajn, por edhe aq të lehtë nuk e ka. E di shumë mirë se nëse Veliaj mbetet në krye të bashkisë së Tiranës, është keq. Por edhe ta largojë prej andej, është po njësoj keq. As Veliaj nuk e ka të lehtë të zgjedhë në këtë situatë. Letrat janë zbuluar tanimë, dhe si t’i shpallë luftë Ramës, si të vendosë t’i bëhet rrogoz atij, ai rrezikon po njësoj. Ngado që t’i vijmë vërdallë këtij diskutimi, është e sigurtë që do të kemi një luftë civile brenda partisë socialiste. Një luftë “të përgjakshme”. Ushtritë janë duke u rreshtuar”, tha ai.

Nga ana tjetër kemi opozitën. Për Mustafa Nanon, Basha duhet të tregojë që është lider dhe për ta bërë këtë duhet të mundë Berishën.

“Në krahun tjetër, Lulzim Basha po rropatet shumë, por nuk po nxjerr gjë në dritë. Dhe nuk ka për të nxjerrë gjë në dritë, nëse nuk vendos të bëhet lider. Ai duhet t’i bindë njerëzit se është një lider. Ka pesë vjet që po i thuhet kjo gjë. Kjo është më e para gjë që duhet të bëjë. Dhe me këtë, të kuptohemi, ai nuk ka të sigurtë fitoren. Jo, thjesht i jep një shans vetes. Por pa këtë çdo gjë është e kotë. Asnjë shans nuk ka.

Lind pyetja: Ç’do të thotë të bëhet lider? Tani, kjo do të thotë shumë gjëra, por mund të fillohet me një gjë. Basha duhet të mundë Berishën. Dhe kjo nuk është një tekë e imja, apo e njerëzve si unë. Është një mënyrë për të provuar leadership. Kush e ka parë PD-në me dyshim, nuk ka pse të ndryshojë mendim tani, teksa sheh se Basha nuk ka fuqi t’i marrë Berishës as ditën e enjte. E keni vënë re që ditën e enjte, qoftë në parlament, qoftë nëpër studiot televizive, qoftë në rrjetet sociale, ai që duket, ai që ftohet, ai që bën protagonistin, ai që bërtet, është Berisha? Prandaj, apeli im për Bashën është: Munde Berishën. Nuk them: shkatërroje, poshtëroje, hidhe në koshin e plehrave të historisë. Kjo do ishte shumë për ty. Do të të binte të fikët edhe ta mendoje. Them: munde, sfidoje, kapërceje, injoroje. Ndryshe, askush nuk ka për të të marrë seriozisht ndonjëherë. E kanë më kollaj të ndjekin Rudina Hajdarin sesa ty”, u shpreh ai.

Përsa i përket LSI-së, Nano nuk përjashton që të fillojë një “luftë civile” brenda familjes Meta.

“Në krahun tjetër është edhe LSI-ja, por edhe këtu gjërat janë të lexueshme. Më të lexueshme nuk i bën nëna. Aty komandon Monika Kryemadhi, komandon pa më të voglin problem, por nëse LSI-ja del keq në zgjedhjet e ardhshme lokale, atëherë ky do të ishte një sinjal i keq për këtë parti. Dhe ai që do ta vuante më shumë këtë situatë do të ishte Ilir Meta. Sepse do fillojë të mendojë që në fund të mandatit presidencial mund ta gjejë LSI-në të shpërbërë, të shkërrmoqur. Nuk do të ishte çudi, atëherë, që për të shpëtuar LSI-në, e cila është e vetmja gjë që vlen për Ilir Metën në këtë botë, ky i fundit ta lërë presidencën para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Dhe të rimarrë LSI-në. Nëse Monika nuk do të hedhë vickla, kuptohet. Sepse nuk duhet përjashtuar as një “luftë civile” brenda familjes Meta. Dhe ka për të qenë gallatë, nëse ka për të ndodhur një luftë civile e tillë. Por sido që të jetë, në fund fare do të jetë Meta fituesi. Dhe ky i fundit do të futet në zgjedhje në krah të Berishës. Për të mundur Edi Ramën. Dhe kështu, do jemi në pikën që merr kuptim dialogu i famshëm tosk: Ku ishim? Asgjëkund. Çfarë bëmë? Hiçasgjë.

Vështrim pesimist? Kështu mund t’ju duket juve. Mua më duket realist”, përfundoi ai./ abcnews

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb