TIRANË- Analisti i njohur Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komentoi zhvillimet politike të vitit që po lëmë pas, se çfarë ndryshimesh ka sjellë 2016-ta në jetën e shqiptarëve dhe çfarë parashikon ai se do të ndryshojë në Vitin e Ri 2017-të.

Por ndërsa 2016-ën e cilëson si vit të zhgënjimit total, Lubonja thotë se 2017-ta do jetë edhe më i zymtë, ndërsa nuk nguron ta quajë vit të kaosit të madh.

Sipas tij, shqiptarët janë varfëruar gjatë 2016-ës dhe duan të braktisin vendin në masë, ndërsa reformat e qeverisë siç shton ai, nuk kanë pasur ndonjë efekt në jetët e tyre.

“Reforma në drejtësi është një reformë në letër, të tilla kemi bërë që nga ‘91 dhe nuk i kemi zbatuar. Problemi ynë më i madh nuk kanë qenë ligjet, por mënyra si i zbatojmë këto ligje. Nuk duhet një reformë në letër por një reformë se si të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit”,- tha ai.

Sipas tij, e keqja më e madhe e shqiptarëve është klasa politike që kemi. “Kemi një klasë politike, rilindësit e famshëm që nuk mendojnë gjë tjetër vetëm si t’ua hedhin këtyre njerëzve. Natë e ditë këtë mendojnë si të mashtrojnë”.

Marrëdhënien mes dy aleatëve që qeverisin, Ramës e Metës, Lubonja e sheh si një marrëdhënie mes bandash, madje sipas tij, “Rama ka futur edhe bandën e Idrizit në funksionim, rivale për të dobësuar Metën. Këta nuk po përmirësojnë njëri-tjetrin LSI tenton të duket më normale por ka interesat e veta”,- thotë ai.

Situatën e zymtë politike, Lubonja e përcjell përmes fjalëve: “Është një bandë kriminale që duhet hequr qafe, po kush ta heqë? Është një bandë tjetër që pret të vijë në pushtet…”

Pikërisht zhgënjimi që ka nga politika e bën të mendojë që edhe 2017-ta nuk do jetë më i mirë. “Nuk mendoj që ka gjasa të jetë më i mirë. Kam frikë se 2017-ta do të jetë viti i kaosit total, është një klasë politike e çmenduar, merimanga e droguar e kam quajtur duke u nisur nga projektet që kanë prezantuar. Rritje taksash këtej, rritje andej dhe se ku i hedhin këto para që vjelin askush se di. Pra, taksa kthehet mbrapsht në formë investimi, por këtu unë shoh një situatë të errët shprese, shoh dëshpërim total dhe rrezikun e një kaosi total”,- sipas tij.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: