TIRANE

Sipas parashikimit të fundit ekonomik të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD), rritja ekonomike botërore mbetet e fortë, por ka kaluar pikun e saj të fundit dhe rrezikon të përballet me risqe më të mëdha, duke përfshirë rritjen e tensioneve tregtare dhe shtrëngimin e kushteve financiare. Parashikimet e rritjes për vitin 2019 janë rishikuar për shumicën e ekonomive më të mëdha në botë. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) botëror pritet të rritet me 3.5% në vitin 2019, krahasuar me 3.7% në parashikimin e majit të kaluar dhe me 3.5% në vitin 2020. Në shumë vende, papunësia është në nivele të larta dhe mungesat e shumta të vendeve të punës po fillojnë të bëhen më të mëdha.

Normat e larta të interesit dhe vlerësimi i dollarit amerikan kanë rezultuar në një rrjedhje të kapitalit nga ekonomitë e vendeve në zhvillim dhe duke dobësuar edhe monedhat e tyre. Stimuli monetar dhe fiskal po tërhiqet gradualisht në zonën e OECD. Parashikimi jo fort i qëndrueshëm për 2019, pasqyron edhe perspektivat e përkeqësuara, kryesisht në tregjet e vendeve në zhvillim, si Turqia, Argjentina dhe Brazili. Ndërsa ngadalësimi i mëtejshëm i parashikuar në 2020 është më shumë një pasqyrim i zhvillimit në ekonomitë e vendeve të përparuara.

Duke prezantuar Parashikimin, Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurría, tha se konfliktet e tregtisë dhe pasiguria politike po shtojnë vështirësitë me të cilat ballafaqohen qeveritë që rritja ekonomike të jetë e fortë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. “Ne nxisim politikëbërësit që të mund të rikthejnë besimin në sistemin e tregtisë bazuar në rregulla ndërkombëtare dhe në zbatimin e reformave që nxisin rritjen dhe standardet e jetesës, veçanërisht ndaj më të prekshmëve”, tha më tej z. Gurría.

Sipas vlerësimit në Parashikim thuhet se tensionet tregtare janë duke e dëmtuar tashmë PBB-në dhe tregtinë globale dhe nëse SHBA-ja rrit tarifat për të gjitha mallrat kineze me 25%, dhe Kina t’i përgjigjet këtij veprimi me të njëjtën monedhë, atëherë aktiviteti ekonomik botëror mund të shkojë në nivele të ulëta. Deri në vitin 2021, PBB-ja botërore do të goditej me 0.5%, me rreth 0.8% në SHBA dhe me 1% në Kinë. Një pasiguri më e madhe do të ndikonte më shumë negativisht mbi këto efekte duke shkaktuar investime më të dobëta në mbarë botën.

Parashikimi tregon se rritja vjetore e trafikut të anijeve në terminalet e kontejnerëve, që përfaqëson rreth 80% të tregtisë ndërkombëtare të mallrave, ka rënë nën 3% nga afërsisht 6% në vitin 2017. Rritja në Kinë është lehtësuar në vitin 2018, në mes të rregullave më të rrepta mbi ndërmjetësit financiarë “të bankave hije” jashtë sektorit bankar formal, një procesi më të rreptë miratimi për investimet e qeverisë vendore dhe tarifat e reja amerikane mbi importet kineze. Masat nxitëse dhe kushtet më të lehta financiare nga banka qendrore mund të ndihmojnë për të nxitur më tej rritjen e ngadalësuar, por gjithashtu mund të përkeqësojnë stabilitetin financiar, citohet në Parashikim. Një ngadalësim më i mprehtë në rritjen kineze do të dëmtonte ndjeshëm edhe rritjen botërore, veçanërisht nëse do të godiste besimin e tregut financiar.

Me normat e ulëta të interesit në shumë vende, veçanërisht në Eurozonë dhe me nivelet historikisht të larta të borxhit ndaj PBB-së (si ai publik ashtu edhe ai privat), hapësira e politikëbërësve për manovrim në rast të një rënie më të dukshme botërore është e kufizuar. OECD thotë se është e rëndësishme të ruhet kapaciteti për politikat e taksave dhe shpenzimeve për të nxitur kërkesën në rast se rritja dobësohet ndjeshëm. Megjithëse një hapësirë e tillë fiskale është e kufizuar, veprimi koordinuar do të jetë shumë më efektiv në krahasim me veprimin e vendeve në mënyrë individuale. Ai duhet të fokusohet në masat e rritjes ekonomike, si investimi në infrastrukturën fizike dhe dixhitale, duke targetuar rritjen e shpenzimeve të konsumit më shumë drejt më të varfërve.

Laurence Boone, kryeekonomistja e OECD, tha se ka pak të dhëna të cilat tregojnë se ngadalësimi do të jetë më i ashpër sesa ai i parashikuar. Rreziqet janë të larta për ta konsideruar situatën alarmante dhe për t’u përgatitur për çdo stuhi që mund të dalë përpara. Bashkëpunimi në politikën fiskale në nivel global dhe atë të Eurozonës do të jenë të nevojshme. Ajo shtoi se mbështetja e ekonomisë globale përfshin dhënien e përgjigjeve ndaj shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, si për shembull, mosrritjes së pagave, rritjes së standardeve të jetesës dhe rritjen e mundësive të ndryshme. Nxitja e konkurrencës për të përmirësuar dinamikën e biznesit mund të ndihmojë, duke forcuar pozitat negociuese të punëtorëve dhe duke ulur çmimet për konsumatorët. Investimi tek aftësitë është po ashtu i rëndësishëm. Ai rrit produktivitetin dhe të ardhurat dhe zvogëlon pabarazitë midis punëtorëve./Monitor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: