Parashqevi! Ka që bezdisen kur lexojnë postime me këtë emër. Unë nuk shqetësohem fare, madje pikërisht për ata, po shkruaj një tjetër.

Dikur e kam admiruar Parashqevi Simakun për pamjen plot klas, feminilitetin, bukurinë, veshjen, stilin dhe interpretimin, por kuptoj se paskam njohur shumë pak prej njeriut që është. Sot e adhuroj për atë që njoha. Në pikën më të ulët që mund të prekje njeriu, ajo ishte aq lart, aq e bukur, e paqme, e dinjitetshme, krenare, e butë, e ëmbël, e qeshur dhe mirënjohëse për atë që kishte. Por mbi të gjitha, ishte një nënë e betuar se do të priste në vuajtjen e saj, atë që i kishin rrëmbyer padrejtësisht, fëmijën!

Ajo nuk i bëri keq askujt, nuk shqetësoi askënd, nuk iu ankua njeriu, nuk u përpoq të lëndonte apo gënjente ndokënd, nuk… nuk… nuk! Atëherë, pse disa njerëz janë kaq të pashpirt? Pse duhet vjellë vrer edhe për këtë grua të pafat?

Por megjithë vrerin dhe argumentat e tyre bajate, nuk mund të pengohem as unë e as askush të shprehë trishtimin që ndjen, kur sheh të rrënuar një artiste që ka dhënë shpirt, frymë e dritë nga të sajat në kohë të errëta. Ajo që më tmerron fare, është fakti që disa nga këta vrer-nxjerrësit janë gra. Kjo sepse sharmi dhe aura e saj janë aq të forta, sa s’ka kapuç, shall apo batanije t’i mbajë të padukshme. Por o gra! Xhelozia nuk ju bën më të mira se ajo. Shpirtmireia ju bën t’i ngjani asaj!

Dhe një fjalë për koleget artiste; me pak përjashtime, si e mira Alida Fiqirete Hisku apo Rita Ndoci, nuk di tjetër të ketë thënë një fjalë për Parashqevin. Disa nuk hapin telefonin, të tjerë kërkojnë pagesë! Po si ka mundësi? Nuk dua të vete-përgjigjem, por thjesht them se është turp!

Parashqevi, në ditën e saj më të zezë, qëndron shumë lart, duke vërtetuar se fisnik lind, nuk bëhesh nga veshjet firmë, ashtu siç nuk mund të zhbëhesh sepse fle për disa vite në një stacion treni!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb