Pedagogia Jonila Godole ka komentuar rastin e këngëtares shqiptare Parashqevi Simaku në një postim të saj në Facebook, pas ndryshimit të papritur të jetës së saj, nga artiste në një grua të pastrehë në Nju Jork, një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e publikut shqiptar.
Në postimin e saj, Godole shprehu një këndvështrim ndryshe nga shumica, duke thënë se ndjesia e parë që pati për Parashqevinë ishte keqardhja. “Kam ndjekur zhurmën mediatike këto ditë për Parashqevinë. Ndjesia e parë që pata ishte keqardhja. Si grua, nënë dhe njeri, uroj që të rehabilitohet dhe të jetë mirë”, shkruan ajo.
Megjithatë, Godole theksoi se Parashqevia nuk është idhulli i saj, duke e lidhur atë me regjimin e komunizmit. Ajo shprehet se Simaku arriti famë në një sistem që nuk investonte në talente pa pasur biografinë dhe qëndrimin e duhur ndaj partisë, dhe se Parashqevi i kishte të dyja këto.
“Ne, si popull, historikisht i falemi idhujve të rremë. Nuk pyesim kurrë se çfarë i kanë dhënë këta idhuj shoqërisë, por çfarë i kanë marrë. Parashqevia mund të vazhdojë të jetë idhulli i gjithkujt, por nuk është idhulli im. Enveri dhe Nexhmija u larguan nga kjo botë, por ata nuk largohen dot nga mendja dhe zemra e adhuruesve të tyre, qoftë edhe nga maja e Amerikës”, përfundon Godole.