NGA: ORNELA MANJANI*
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shpërndaje rreth 1.7 miliardë lekë për 6450 pronarë që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Pronarët do të përfitojnë këstin e pestë, 13% të vlerës totale të faturës. Vendimet për kompensim datojnë nga viti 2008 deri në vitin 2015. Ndërkohë, AKKP pranon kërkesat e reja për pronarët që u është prekur prona nga ndërtime pa leje dhe nuk kanë aplikuar ende.

NDARJA E FONDIT
AKKP njofton se në mbështetje të pikës 11, të VKM-së nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, ka përcaktuar dhe do të realizojë shpërndarjen e një kësti të ri kompensimi (këstit të pestë) i vlerësuar në masën 13% të vlerës së përgjithshme të miratuar. “AKKP, mbështetur në fondin aktual, vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, në zërin për shpërblimin e pronave private që preken nga ndërtimet informale, hap këstin e pestë, i cili do të shpërndahet në mënyrë proporcionale, në masën 13% të vlerës totale të shpërblimit të përcaktuar në VKM-të e miratuara. Ky këst dhe vlera përkatëse do u shpërndahet pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme pronë private, të cilat janë prekur nga ndërtimet informale dhe është miratuar masa e shpërblimit përkatës me Vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në njoftimin e AKKP-së. Sipas njoftimit, vlera proporcionale e këstit të pestë në masën 13% të vlerës totale të shpërblimit të miratuar me VKMtë e mësipërme, e cila do të shpërndahet për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, është 1 715 417 769 lekë.

PAGESA
Këtë këst të ri do ta përfitojnë menjëherë, në mënyrë proporcionale, 4150 subjekte të cilët kanë aplikuar dhe aktualisht kanë përfituar katër këstet e para të kompensimit, ose 57% e vlerës së miratuar të shpërblimit në VKM-të përkatëse. “Kësti i ri në masën 13% e vlerës totale të masës së shpërblimit të miratuar në 22 VKM-të e miratuara për ‘Për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale’ e rrit masën e kompensimit nga 57% të aplikuar deri më sot në masën 70%”,thuhet në njoftim.

APLIKIMET
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën të ditur se nga ky proces do të përfitojnë edhe 2300 subjekte përfituese, të cilat kanë aplikuar së fundmi apo do të aplikojnë në vijim, të cilat do të përfitojnë menjëherë masën 70% të vlerës së shpërblimit të miratuar në VKM-të përkatëse.

PROCEDURA
Pas miratimit të listës së përfituesve nga Këshilli i Ministrave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përfundon procesin e shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: