Një tjetër pistë hapet në të ardhmen e Mauro Icardi. Është Paris SG që ka vendosur sulmuesin argjentinas në krye të listës së blerjeve për merkaton e verës. Lajmi bëhet i ditur nga e përditëshmja italiane “La Gazzetta Dello Sport”.
Madje, duke qëndruar në atë që raporton gazeta më e madhe sportive përtej Adriatikut, tratativat do të nisin shumë shpejt dhe transferimi në Ligue 1 mund të jetë një zgjidhje e mirë për të gjithë. Si fillim për sulmuesin, që pasi iu hoq shiriti i kapitenit ka një raport shumë të vështirë me Interin dhe tifozët. Nga ana tjetër, Paris SG e konsideron Mauro Icardi si zëvendësuesin e denjë të Edison Cavani, që pritet të largohet në fund të sezonit. Edhe Interi nuk është kundër këtij operacioni në merkato, por për kartonin e argjentinasit kërkon 70 milion euro.
Kjo shifër nuk është një pengesë, sidomos për kampionët francezë që janë mësuar të shpenzojnë shuma të çmendura në tregun e transferimeve. Kalimi te Paris SG pritet me entuziazëm nga Icardi, që gjithsesi nuk do të shpejtojë në pritje të ofertave nga skuadra të tjera, të cilat nuk mungojnë. Ditët e fundit edhe Atletico Madridi ka dhënë sinjale të rëndësishme, edhe ky një opsion që po vlerësohet seriozisht nga sulmuesi argjëntinas.
(BalkanWeb)