Flamuj trengjyrësh në të gjitha dritaret e Francës në ditën që gjithë vendi mban homazhe solemne për 130 viktimat dhe 350 të plagosurit e atentateve të 13 nëntorit në Paris dhe Saint-Denis. Ceremonia përkujtimore kryesohet nga Presidenti Francois Hollande, i sapokthyer nga Moska, pas maratonës së tij diplomatike për të forcuar koalicionin anti-ISIS.

Gjatë ceremonisë, presidenti Hollande është përpjekur të mbajë lotët ndërsa në sfond luheshin notat e Jacques Brel dhe në ekranin e madh shfaqeshin fotot e viktimave. Qetësinë e kanë prishur tingujt e këngës “Kur ne kemi vetëm dashuri”, gjatë së cilës, Hollande ka përjetuar emocione të shumta që janë pasqyruar në fytyrën e tij.

Më pas janë lexuar emrat e të gjithë viktimave, ndërkohë që gjithë udhëheqësit e shtetit francez kanë qëndruar në këmbë, Garda e Republikës në nderim dhe flamujt franceze të ekspozuar siç ka kërkuar Presidenti.

Por, në solemnitetin e ndjerë të momentit, po merr formë edhe kontestimi i disa familjeve të viktimave, që kanë refuzuar ftesën për të marrë pjesë në ceremoni, duke denoncuar mungesën e “vendimeve të forta” të shtetit pas sulmit terrorist që ndodhi më 7 janar në Charlie Hebdo.

Presidenti Hollande deklaroi gjatë ceremonisë se terroristët nuk do arrijnë të na përçajnë dhe se Franca do të mbetet e fortë.

“Kombi i tërë qan për viktima. Franca do të bëjë gjithçka kundër terrorizmit, pa mëshirë për të mbrojtur fëmijët tanë. Pasi të varrosim të vdekurit, do të ndreqim gabimet e të mbijetuarve”, ka deklaruar Holande.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: