TIRANË- Kryebashkiaku Lulzim Basha tërhiqet nga projekti i dhënies me koncesion të parkimeve në kryeqytet.

Në një prononcim për mediat pas inaugurimit të ambienteve të reja në kopshtin 41 në kryeqytet, Basha tha se nuk është momenti të shtohet barra financiare e qytetarëve, prandaj do ti propozojë këshillit bashkiak ta shtyjë edhe me 5 vite realizimin e projektit.

Sipas Bashës, ai ka qenë i ndjeshëm ndaj reagimit të qytetarëve, prandaj ka vendosur të dëgjojë zërin e tyre.

“Tirana aktualisht takson 5% të parkimeve publike dhe me propozimin tonë do të taksonte 15 %, pra akoma 85 % e vend-parkimeve do të mbeteshin falas. Por në kushtet kur mozaiku i veprimeve tona për të zgjidhur problemin e trafikut në Tiranë ka vrima dhe gropa të mëdha të shkaktuara pikërisht nga lufta politike ndaj Bashkisë së Tiranës, siç është mosrealizimi i terminalit multimodal të pasagjerëve, siç është bllokimi i 2000 vendeve të parkimit përmes bllokimit të bulevardit, në kushtet e krizës ekonomike ku e ka zhytur vendin dhe Tiranën kjo qeveri, në kushtet kur qëndrimi im personal është se për të dalë nga kjo krizë nuk duhet rënduar më shumë konsumatori, qytetari dhe për këtë arsye kërkoj nga pozita të tjera por edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës reflektim të qeverisë për heqjen e taksës së qarkullimit për transportin urban, për të mbajtur biletën në 30 lekë, kërkoj reflektim me një plan tjetër politik për uljen e çmimit të karburantit përmes heqjes së 24 lekëve, 240 lekë të vjetra taksë ekstra që pushteti qendror i ka vënë karburantit, kërkoj dhe kërkojmë realizimin e premtimit elektoral jo për rritjen e energjisë por për uljen e çmimit të energjisë përmes eliminimit të tvsh-së me 14 %. Në këto kushte të një krize ekonomike, gjykimi im është se ky nuk është momenti për të rënduar qytetarët e Tiranës apo qoftë edhe përdoruesit e tjerë të automjeteve unë do i kërkoj Këshillit Bashkiak të shtyjë konsiderimin e shtimit të zonave me pagesë të parkingjeve publike, të paktën me 5 vjet të tjera. Në kushtet që sapo iu shpjegova (besoj se nuk ka nevojë ta përsëris), unë kam vendosur duke gjykuar, duke dëgjuar edhe reagimin qytetar, jo të pazarxhinjve, oligarkëve e gjobvënësve, kam gjykuar e vendosur t’i kërkoj Këshillit Bashkiak shtyrjen me të paktën 5 vjet të propozimit për të trefishuar hapësirën e parkimeve publike për të cilat Bashkia e Tiranës vjel drejtpërdrejt apo përmes koncesionit taksë”, tha Basha.

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka theksuar sot se 3 kanë qenë zgjidhjet e projektuara nga Bashkia e Tiranës për zgjidhjen e problemit të trafikut dhe transportit në Tiranë, ndërhyrje në infrastrukturë, ndërtimi i akseve të reja, zgjerimi i atyre ekzistuese, përdorimit të teknologjisë për të disiplinuar trafikun dhe i treti ka të bëjë me një sërë investimesh që kanë si qëllim të menaxhojnë trafikun nga njëra anë dhe nga ana tjetër të menaxhojnë një pasuri publike që nuk u përket vetëm automobilistëve të qytetit por të gjithë qytetarëve të Tiranës, që janë parkimet publike. Kreu i Bashkisë ka theksuar se një pjesë e madhe e projekteve si unaza e madhe, ndërtimi i terminalit dhe bulevardi i ri janë bllokuar politikisht nga qeveria, duke u refuzuar qytetarëve një qytet më të lirë nga trafiku dhe me nivel më të ulët ndotje.

“Problemi i trafikut dhe transportit në Tiranë është problem i tmerrshëm, është një ndër problemet kryesore që unë kam reshtuar jo tani në fund të mandatit por përpara se të merrja mandatin si kryetar i Bashkisë. Në planin tim dhe të administratës time, zgjidhja e problemit të transportit e trafikut në Tiranë përbëhet nga disa programe. Programi i parë pa dyshim është ai i ndërhyrjes në infrastrukturë, ndërtimi i akseve të reja, zgjerimi i atyre ekzistuese. Programi i dytë është ai përdorimit të teknologjisë për të disiplinuar trafikun dhe i treti ka të bëjë me një sërë investimesh që kanë si qëllim të menaxhojnë trafikun nga njëra anë dhe nga ana tjetër të menaxhojnë një pasuri publike që nuk u përket vetëm automobilistëve të qytetit që përbëjnë më pak se gjysmën e qytetarëve por të gjithë qytetarëve të Tiranës, që janë parkimet publike. Në rastin e parë kemi bërë progres domethënës, brenda mundësive të qytetit të Tiranës (kujtoj këtu ndërhyrjen tek rruga “Konti Bertold” apo ndërhyrjen tek sheshi “Shqiponja” dhe ndërhyrjen në një sërë arteriesh të tjera kryesore dhe lagjesh). Kemi planifikuar së bashku me qeverinë qendrore zgjatimin e Unazës nga qendra Kristal tek Qyteti i Nxënësve e cila për fat të keq ka mbetur dhe është zvarritur me ndryshimin e qeverisë. Kemi planifikuar bulevardin e ri të Tiranës, jo vetëm si një zgjidhje urbanistike por edhe si një zgjidhje trafiku që u ofronte qytetarëve 2000 vende të reja parkimi mbi dhe nëntokësor, bllokuar politikisht, në mënyrë kriminale dhe kur them kriminale e kam fjalën ligjërisht kriminale dhe ai person që ka bllokuar këtë projekt duhet të përgjigjet para drejtësisë. Është firma e Shkëlqim Canit por është urdhri i Edi Ramës. Kemi të bllokuar terminalin multimodal të pasagjerëve, një vepër e cila ndërtohet pa i kushtuar qytetarëve të Tiranës asnjë qindarkë dhe nuk i kushton asnjë qindarkë as qeverisë qendrore dhe që do të hiqte nga Tirana autobusët e furgonët duke liruar vende për 1500 automjete të tjera. Pra vetëm në këtë fushë, lufta politike që i është shpallur Bashkisë së Tiranës por kostot e së cilës i paguajnë qytetarët e Tiranës, i ka kushtuar qytetarëve të Tiranës minimalisht 3 500 vend-parkime të parealizuara.

PROPOZIMI
Javën e kaluar Bashkia e Tiranës paraqiti në Këshillin Bashkiak projektvendimin, sipas të cilit parkimi në Tiranë do të paguhet edhe nëpër lagjet periferike, ndërkohë që koncesioni për realizimin e këtij projekti do t’i jepet një firme me afat 35-vjeçar.

Projektvendimi e ndan Tiranën në 23 zona të ndryshme, ndërsa tarifat variojnë nga 150 lekë/ora për 2 orë qëndrimi në zonën A1(qendër) deri në 20 lekë/ ora për zonën C1 (zona periferike).

Diskutimi i tij solli debate të ashpra në mbledhjen e së enjtes së kaluar mes këshilltarëve të djathtë dhe atyre të majtë, ndërsa këta të fundit e konsideruan këtë formë parkimi si një gjobë të lartë ndaj qytetarëve dhe si monopol të bashkisë. Ndërkaq, me kërkesë të kreut të grupit të këshilltarëve të majtë, Genti Gazheli votimi për miratimin ose jo të këtij koncesioni u shty për këtë javë.

REAGIMET
Ndërkaq, edhe qytetarët e Tiranës kanë iniciuar firmosjen e një peticioni online, përmes të cilit kërkojnë anulimin e dhënies me koncesion për një periudhë 35-vjeçare të parkimeve të Tiranës. Nisma “Jo koncesionit të parkimeve në Tiranë” është ndërmarrë përmes faqes online avazz.org, e cila i mundëson çdo qytetari të krijojë peticione të profileve të ndryshme.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: