Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Qytetarët e Tiranës kanë iniciuar firmosjen e një peticioni online, përmes të cilit kërkojnë anulimin e dhënies me koncesion për një periudhë 35-vjeçare të parkimeve të Tiranës. Nisma “Jo koncesionit të parkimeve në Tiranë” është ndërmarrë përmes faqes online avazz.org, e cila i mundëson çdo qytetari të krijojë peticione të profileve të ndryshme. Ende nuk ka një person që të ketë pranuar publikisht autorësinë e nismës në fjalë, por në faqe theksohet se “koncesioni duhet ndaluar nga qytetarët e Tiranës, pasi krijon një monopol për një periudhë 35-vjeçare, e cila nuk justifikon vlerën e investimit”.
Koncesioni
Javën e kaluar Bashkia e Tiranës paraqiti në Këshillin Bashkiak projektvendimin, sipas të cilit parkimi në Tiranë do të paguhet edhe nëpër lagjet periferike, ndërkohë që koncesioni për realizimin e këtij projekti do t’i jepet një firme me afat 35-vjeçar. Projektvendimi e ndan Tiranën në 23 zona të ndryshme, ndërsa tarifat variojnë nga 150 lekë/ora për 2 orë qëndrimi në zonën A1(qendër) deri në 20 lekë/ ora për zonën C1 (zona periferike). Diskutimi i tij solli debate të ashpra në mbledhjen e së enjtes së kaluar mes këshilltarëve të djathtë dhe atyre të majtë, ndërsa këta të fundit e konsideruan këtë formë parkimi si një gjobë të lartë ndaj qytetarëve dhe si monopol të bashkisë. “T’u shkosh banorëve nëpër lagje nuk është shërbim, as ulje të ndotjes, por gjobë. Zgjidhje për mua, kthimi dhe rishqyrtimi i këtij akti. Kreu i bashkisë është në ikje, por ky koncesion është për 35 vjet, edhe pasi të ikë kreu i bashkisë. Në ikje mos lini gjëma mbrapa”, tha këshilltari i majtë, Ervin Salianji. Ndërkohë që sipas nënkryetarit të bashkisë, Enno Bozdo, kjo është një praktikë e njohur në të gjitha qytetet evropiane. “Nuk po propozojmë diçka që nuk është dhe nuk është dëgjuar asnjëherë. Praktikisht po propozojmë që të rregullohet në masën 30 % jo sheshet kryesore, jo rrugicat brenda pallateve, që nuk përdoren nga tiranasit, por nga ata që kanë punë përditë në Tiranë. Është një propozim që zgjidh disa gjëra dhe ndihmon në rritjen e të ardhurave për qytetin e Tiranës. Periudha e koncesionit nuk është kurrë 4 vite. Projektvendimi thotë, dyshemeja është 10%. Këtë nuk e kemi shpikur ne, çdo qytet evropian i ka parkimet e rregulluara”, tha Bozdo. Ndërkaq, me kërkesë të kreut të grupit të këshilltarëve të majtë, Genti Gazheli votimi për miratimin ose jo të këtij koncesioni u shty për këtë javë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb