Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Ndërtimi i projektit të parë për parkimet nëntokësore në kryeqytet është vetëm pak hapa larg. Bëhet fjalë për parkimin në nëntokën e “Parkut Rinia”, projekt i cili është miratuar dhe është shpallur firma fituese që prej vitit 2009, shoqëria “Taiwan” sh.p.k. Projekti do të jetë me 4 kate nën tokë dhe do të ketë një kapacitet prej 1.342 automjetesh. Sipas marrëveshjes koncesionare, Bashkia e Tiranës do ia japë shoqërisë ndërtuese për një periudhë 30-vjeçare për përdorim, ndërkohë që tarifa e koncesionit do të jetë vetëm 15% e fitimit.

Ky vendim u miratua sërish në 30 dhjetor nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, por pa votat e opozitës, e cila e kundërshtoi këtë projekt. Tarifat për qytetarët në këtë parkim do të jenë në varësi të kohës që do të qëndrojë automjeti, por ora e parë e parkimit është 120 lekë, ndërsa 2-4 orë është 50 lekë/30 minuta, ndërkohë 4- 8 orë ulet pagesa në 40 lekë/ 30 minuta. Bileta ditore për ata që dëshirojnë të parkojnë gjithë ditën automjetin në këtë parkim nëntokësor do të jetë 850 lekë.

Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, në pikën 3 të tij përcaktohet se “Koncesionari detyrohet që, pas ndërtimit të objektit dhe përpara fillimit të operimit të shërbimit, të realizojë punimet që kthejnë mbitokën në destinacionin aktual, përkatësisht park”. Ndërkohë që në pikën 4 të vendimit, ndalohet që koncesionari të kolatelarizojë për efekt financimi, truallin dhe objektin ndërtimor, pasuri të cilat mbeten të lira nga çdo barrë dhe risk përgjatë periudhës koncesionare.

PROJEKTI
Ndërtimi i parkimit nëntokësor në “Parkun Rinia” dhe dhënia me koncesion për 30 vjet shoqërisë “Taiwan” sh.p.k u miratua për herë të dytë në këshill bashkiak pas pesë vitesh. Arsyeja që ky projekt u la pezull për disa vjet, është se pasi u miratua projekti dhe u shpall fituesit i koncesionit, në dhjetor të vitit 2009 me një vendim qeverie, Bashkisë së Tiranës iu hoq nga inventari i pronave “Parku Rinia”.

Por në shtator 2015 ky vendim u pezullua nga Këshilli i Ministrave, duke e rikthyer këtë park sërish në pronësi të Bashkisë së Tiranës, dhe kësaj të fundit i lind e drejta që të vijojë me përfundimin e procedurës për dhënien me koncesion të parkimit publik në “Parkun Rinia”. Ndaj në mbledhjen e fundit të 2015-ës, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj iu drejtua këshillit bashkiak që të miratonte termat kryesore të kontratës koncesionare, mbi parkimin nëntokësor në “Parkun Rinia”. Vendim i cili u mor vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita e ka kundërshtuar ashpër dhënien me koncesion.

TARIFAT
Numri maksimal i vendparkimeve në parkimin nëntokësor i cili pritet të ndërtohet në pjesën veriore të “Parkut Rinia”, aty ku është edhe monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë, është 1.342 vendparkime. Tarifa e parkimit pritet që të jetë për orën e parë të parkimit 120 lekë/ora, për 2-4 orë 50 lekë/ 30 minuta. Ndërsa për 4-8 orë si dhe nga 8-12 orë parkimi do të jetë me 40 lekë/30 minuta.

Bileta ditore do të kushtojë 850 lekë. Ndërsa për ata persona që do parkojnë makinën gjatë natës, nga ora 22:00 deri në orën 07:00, tarifa është caktuar 500 lekë. Tarifa të tjera do të ketë për ata qytetarë që do të zgjedhin të bëjnë pajtime mujore ose 6-mujore. Sipas vendimit të miratuar në këshill bashkiak, bileta mujore është 12.000 lekë, bileta 3- mujore është 34.000 lekë, ndërsa bileta 6-mujore është 60.000 lekë. Nga të ardhurat e këtij parkimi nëntokësor në buxhetin e bashkisë do të shkojë 15% e fitimit.

Në referencat e miratuara është caktuar numri i vendparkimeve dhe tarifave për kategori të veçanta; ku 30 vende do jenë për invalidë, tarifa për të cilët do të jetë zero; 140 vende do të jenë për institucionet publike, tarifa për ta do të jetë 6.000 lekë në muaj, pra 50% më pak se për pajtimet mujore për qytetarët; 140 vende për rezidentët me tarifë mujore 1.000 lekë; si dhe 73 vende për bizneset me një tarifë mujore 12.000 lekë/ muaji. Koha e vënies në shfrytëzim e veprës është 15 muaj, kohëzgjatja e koncesionit është 30 vjet, ndërsa vlera e investimit është 1 miliard e 937 milionë lekë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb