Kune-Vain, kjo bukuri natyrore shtrihen shumë pak kilometra larg qytetit të Lezhës, është një ndër krenaritë e turizmit në veri të vendit.
Gazetarët e emisionit Vetting në News24 kanë kontaktuar me specialistët lidhur me fenomenin e erozionit në këtë zonë, ndërsa mësojnë se 2-3 metra tokë në vit i merr deti.
Ndërsa institucionet përgjegjëse bëjnë sehir, çdo grimcë toke që shuhet është një hap më afër humbjes së këtij peizazhi të rrallë. Pishat e bukura të këtij parku natyror po zhduken dalë ngadalë bashkë me tokën që e merr deti.
Eksperti i mjedisit Jak Gjini shprehet se“në bregdetin e Kunes erozioni detar është mjaftë aktiv, vit për vit deti ka avancuar me 2.5 metra, është ajo konstantja shumë vjetore e raportuar nga specialistët, ajo që ndodh në terren është ajo që ne shohim sot. Të paktën nga viti 1939 , kur themi viti 1939 kemi parasysh ato hartat austriake të fillimit, më pas ato sovjetiket në 1957, por sot pamjet satelitore tregojnë se të paktën 400 metra ka avancuar deti në drejtim të tokës, është vërtet një shifër e frikshme. Por në mënyrë të veçantë në dekadat e fundit stuhitë detare e kanë rritur shumë frekuencën e tyre dhe e godasin bregun. Erodimi që i bëjnë bregut ato është jashtëzakonisht i vrullshëm, flasim për ato stuhi detare që ndodhin nga tetori deri në marsin e vitit pasues, 3-5 ditë por dëmi që i shkaktojnë është më i madh pothuajse sesa i gjithë dëmi vjetor i një dallgëzimi normal që ndodh me dallgëzimin normal që i ndodh këtij bregu ku jemi.”
Ai ngre alarmin se ndërtimi i kaskadës së Drinit dhe devijimi i rrugës së sendimenteve që lumi sillte në rezervatin natyror të Kune-Vainit në Lezhë, i ka lënë dorë të lirë detit për të rrëmbyer metër pas metri tokën në bregdet.
“Jemi në grykëderdhjen e Lumit Drin ku përplaset me ujërat e detit Adriatik, dhe siç vihet re këtu sidomos në pjesën veriore është mjaftë i shprehur, mjaftë agresiv, të paktën nga viti 2009 e deri më tani ka avancuar të paktën 20 metra në vit në një segment të Kunes, pjesa veriore. Kemi dy momente që e kanë përkeqësuar këtë situatë, e para, mungesa e gurëve që duhet të sillte Drini, si rezultat i ndërprerjes së këtyre inerteve të ndërprera totalisht sepse ujërat e Lumit Drin shkojnë në nga diga e Spatharës në Lumin Buna të Shkodrës. Dhe ndërtimet e hidrocentraleve dhe digave në lumen Drin, kjo ka ndodhur që në vitin 1970 e më pas deri në ditët e sotme. Dhe deti vazhdon për pasoj, dhe ky është faktor kryesor që nuk ushqehet deti me sendimentet që sjellin lumenjtë. Faktori tjetër mjaftë i dukshëm është ndikimi nga ndryshimet e klimës, bregu çdo vit goditet nga stuhitë detare, dhe stuhitë detare janë aq të fuqishme, krijojnë një dallgëzim aq të fuqishëm sa kur godasin bregun marrin shumë dhera nga gërmimet dhe i kalojnë në thellësi”, shprehet eksperti i mjedisit, Gjini.
Një tjetër fenomen negativ që po vihet re, sipas ekspertit të mjedisit Endri Haxhiraj, është se “erozioni ka përshpejtuar humbjen e vijës bregdetare. Kjo për shkak të marrjes së inerteve nga lumenjtë, që ka dërguar në prishjen e bazamentit në grykëderdhje. Sot shohim grykëderdhje shume te gjera dhe rritjen të humbjes së sipërfaqes së tokave bujqësore”.
Dëmtimi për shkak të erozionit detar ka gllabëruar sipërfaqen e rërës, duke bërë që ky plazh të ketë më pak sipërfaqe me rërë ku pushuesit qëndrojnë.
Gjatë dimrit bregu i detit zhduket plotësisht në Kune të Shëngjinit. Shumë pisha qindravjeçare janë rrëzuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëmtuar nga zjarret e përvitshme.
“Në zonën e Kune Vainit shpesh herë banorët kanë pësuar përmbytje në zonat e tyre, ku u janë përmbytur tokat dhe të mbjellat si shtëpitë e banimit. Si rezultat i erozionit, por edhe të kalimit të detit në shumë raste banorët kanë vendosur thasë me rëra për tu mbrojtur nga këto përmbytje, të cilat mundet të them se janë të prishmë, pikërisht për shkak të dëmtimit të pyjeve dhe habitateve”, thekson eksperti i mjedisit Endri Haxhiraj.
Ndërkohë, Fran Marku, një banor i Shëngjinit shprehet se“duhen të merren masa urgjente duke nisur nga kryetari i bashkisë deri tek kryeministri, ata duhet të marrin një masë urgjente sidomos për zonën e lagunës së Kunes.”