Jorida Tabaku, e cila guxoi të përmendë me emra oligarkët shqiptarë nuk ka ndërmend të tërhiqet, pavarësisht se kryeministri e ka hedhur në gjyq bashkë me kolegët e tjerë të PD-së. Platforma antikorrupsion e liderit Lulzim Basha e preznatuar në 2013, është një shtysë për Jorida Tabakun për të mos ndalur denoncimet ndaj korrupsionit dhe krimit të veshur me pushtet. Përmes “Gazeta Shqiptare”, ajo shpreh bindjen se projekti politik i PD-së garanton një qeveri për shqiptarët dhe jo për oligarkët. Ish- deputetja e PD-së bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama për krizën e rëndë në të cilën ndodhet vendi. Ajo paralajmëron se sa kohë z.Rama nuk bie dakord me kushtet e Bundestagut gjerman, Shqipëria do të ketë situatë të stanjacionit politik.

“Për sa kohë ai nuk bie dakord me kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe që janë në frymë dhe letër, ajo çfarë opozita kërkon, ne do kemi këtë situatë stanjacioni politik. Vullneti politik është zgjidhja. Vullneti politik për të pranuar ndryshimin dhe votën e lirë, vullneti politik për t’i ndarë nga krimi, vullneti politik për të ndaluar krimin, vjedhjet e korrupsionin”, – shprehet ish-deputetja. Si zgjidhje, zj.Tabaku përmend hartën e dialogut me 9 pikat e vendosura nga Gjermania si dhe propozimet e opozitës. Ish-deputetja demokrate thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita nuk mund të presë zgjidhje nga ai që e shkaktoi krizën. “Nuk mund të presim që ai që e ka krijuar këtë situatë, të jetë zgjidhja për këtë situatë!”, – shprehet Tabaku.

Jorida Tabaku sfidon Edi Ramën teksa shprehet se me qeveri tranzitore asnjanëse nuk do ta ketë të lehtë që të mundë opozitën. Madje, ajo shprehet se opozita është gati të ndeshet në një lojë ku luhet me rregulla dhe arbitër të paanshëm. Përfaqësuesja e lartë e PD-së akuzon se parlamenti aktual është zëri i krimit të organizuar dhe blerjes së votave. Ndaj sipas Tabakut, vendi kthehet në normalitet vetëm përmes zgjedhjeve një hershme qendrore dhe vendore. “Rotacioni politik arrihet me zgjedhje, në rastin tonë të parakohshme. Vendit i duhet ky rotacion politik. Këtu nuk bëhet fjalë për të hequr një palë e për të vënë një palë tjetër. Kemi një projekt politik që ia kemi shpalosur shqiptarëve në ekonomi dhe do vazhdojmë gjithashtu ta shpalosim në fusha të tjera”, – thotë Tabaku.

Zj.Tabaku, Shqipëria prej kohësh po kalon një krizë politike. Çfarë e pengon zgjidhjen e saj?
Shkaktari krizës është Rama. Njeriu që është në krye të një sistemi oligarkik, që blen dhe manipulon zgjedhjet në vend. Për sa kohë ai nuk bie dakord me kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe që janë në frymë dhe letër ajo çfarë opozita kërkon, ne do kemi këtë situatë stanjacioni politik. Vullneti politik është zgjidhja. Vullneti politik për të pranuar ndryshimin dhe votën e lirë, vullneti politik për t’i ndarë nga krimi, vullneti politik për të ndaluar krimin, vjedhjet e korrupsionin. Por nuk mund të presim që ai që e ka krijuar këtë situatë të jetë, zgjidhja për këtë situatë!

Sa po e dëmton vendin tejzgjatja e kësaj krize…?
Mendoj që po e dëmton jashtëzakonisht shumë, pasi integrimi, ekonomia, institucionet po zveniten nën një regjim thuajse diktatorial. Ashtu si shprehej edhe Bundestagu, tejkalimi i krizës politike është hap kyç për avancimin në procesin e integrimit! Ky kolaps ekonomik, politik, social dhe kulturor që ka sjellë qeverisja ka rezultuar në eksodin më masiv të shqiptarëve të ngjashëm me atë të mbas rënies së komunizmit! Kjo qeverisje u ka kushtuar të ardhmen dhe shpresën shqiptarëve.

Si mund të kemi institucionalizim të dialogut mes forcave politike në vend dhe jo dialog për ndarje pushteti?
Harta e dialogut janë 9 pikat e Bundestagut dhe nëse do të dëshironi, edhe propozimet e qarta të opozitës. Kryeministri Rama thotë që e mund lehtësisht këtë opozitë, ka shansin ta demonstrojë duke dakordësuar jo vetëm reformën zgjedhore, por edhe përmes një qeverie tranzitore, që do ishte një arbitër asnjanës. Ky arbitër është i domosdoshëm në kushtet aktuale ku ka degraduar Shqipëria. Një dhe vetëm një mënyrë ka për dialog, procesi i integrimit e nxjerr vendin nga kriza!

A mund të vihen bazat e një pakete të përgjithshme për zgjidhjen e krizës politike në vend, pjesë e së cilës sipas liderit Basha është edhe reforma zgjedhore, në kuptimin e forcimit të elementeve ligjore të saj, që lidhen me administrimin e votës, numërimin e votës dhe sigurinë e votës?
Së pari, parimet dhe paketat i vendos vullneti politik. Së dyti, garantimi i rregullave të forta vjen përmes një seti ligjesh, që duhet të garantojë një sistem elektoral dhe proces elektoral sa më të ndershëm, që prodhon stabilitet qeverisës dhe demokraci. Jam e bindur që oferta e opozitës është shumë pranë këtyre dy shtyllave kryesore. Ne kemi një vullnet politik që e kemi dëshmuar dje në parlament dhe sot, sikundër kemi një propozim real në tryezën e mazhorancës. Besoj se nuk e shpëton mazhorancën loja e të verbrit.

Pas reformës në drejtësi, reforma zgjedhore është më e rëndësishmja, por çfarë kërkon PD-ja konkretisht që po e mban larg dialogut me PS-në?
Siç e përmenda edhe me lartë, Partia Demokratike kërkon garanci që ka vullnet për t’u zbatuar reforma. Ne sot kemi një sistem zgjedhor dhe ligje të votuara nga PD-PS në 2008-ën, por kemi një mazhorancë socialiste që nuk pranon t’i respektojë ligjet. Kjo sepse kryeministri Rama nuk pranon të garojë ndershmërisht dhe krijon skema për të vjedhur votat më pas përdor pushtetin politik për t’i mbrojtur vjedhësit e votave.

Përse zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme…?
Kriza e Shqipërisë nuk është më vetëm sociale, por edhe politike. Ju e shihni që kryeministri Rama ka një votëbesim fals në Kuvend, një pjesë e madhe e parlamentit është ose zëri krimit të organizuar, ose zëri i votave të blera. A është një qeveri e tillë për popullin dhe në shërbim të qytetarëve?! A garanton një qeveri e tillë një vend më të mirë?! Qartësisht jo! Shumë vende në Evropë po shkojnë në zgjedhje të parakohshme, kjo nuk është tragjedi në një shtet demokratik. Kur mbështetja nuk ekziston, kur premtimet nuk mbahen, kur ekonomia është në kolaps, kur varfëria është ulur këmbëkryq çdo shtetar që e do vendin do të kërkonte vetë t’i jepte një zgjidhje situatës! Perceptimi negativ në ekonomi, në biznes, në të ardhmen e familjeve shqiptare e tregon këtë!

A rrezikon opozita të dalë jashtë sistemit, ndërkohë që një opozitë e re po tenton të evidentohet në Kuvend?
Opozitë në Shqipëri ka një. Ajo që mbushi sheshet dhe frymëzoi një popull të refuzojë farsën e 30 qershorit. Kushdo që dëshiron ta zëvendësojë opozitën, ka mundësinë në zgjedhjet e parakohshme, mbase e ashtuquajtura opozitë parlamentare mund të jetë një aleate e dobishme për PS-në në opozitë.

Pse një nivel kaq i ulët i deputetëve të opozitës së re në Kuvend?
Nuk kam koment!

Si u ndjetë kur pasuesja e Lulzim Bashës në Kuvend ju kishte kopjuar fjalimin?
E vetmja e mirë ishte se diskutimi për Korporatën e Investimeve vazhdoi më gjatë dhe njerëzit patën mundësi që ta ridëgjonin fjalën time, por më duket shmangie nga tema dhe problematika e vërtetë që ka vendi. Problemi sot është qeverisja e Ramës.

Si e konsideroni propozimin e aleatëve të PD, që anëtarët e KQZ të jenë gjyqtarë që e kanë kaluar vetingun?
Mendoj që pushtetet duhen ndarë nga njëri-tjetri. KQZ-ja nuk është një institucion i degës së gjyqësorit, ndaj nuk do të dëshiroja ta përzieja. Por, ky është mendimi im personal. PD-ja ka njerëzit e duhur dhe ekspertë të kësaj çështjeje dhe kolegët e mi besoj kanë një përgjigje për të.
A është gati PD-ja dhe strukturat e saj për të fituar përballë Edi Ramës kurdo që të ketë zgjedhje, normale apo të parakohshme?
Ne jemi gati për çdo ndeshje që luhet me rregulla dhe arbitër të paanshëm. Edi Rama mendon që mund t’ia hedhë duke atakuar me batuta opozitën, por nuk besoj se shqiptarët janë aq të verbër përballë zullumit që kanë mbi krye.

Opozita kërkon pranga për politikanët që vodhën zgjedhjet me krimin, si dhe qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale. Sa të mundshme janë ato kur Edi Rama ka bërë të qartë se mandati i tij do të mbyllet në vitin 2021?
Sa i besueshëm është një kryeministër që hapi shishen e shampanjës për çeljen e negociatave, ndërsa vendit nuk i qenë hapur? Mendimi i atyre që gënjejnë për të dalë nga situata është shumë pak i rëndësishëm në këtë proces, vendi ka 9 kushte që duhet të përmbushë. Kryeministri bën mirë t’i ketë para syve.

Ju jeni e para në PD që denoncuat me emra kon-kretë oligarkët, por a jeni ndjerë e kërcënuar prej tyre apo nga ata që i mbështesin…?
Ka qenë vullneti i kryetarit të partisë, Zotit Basha që në 2013-ën që ne të fillonim një fushatë antikorrupsion dhe kështu ndodhi. E në fakt ka qenë ai i pari, që filloi serinë e denoncimeve. Nuk është heroizëm të përmendësh oligarkë me emër. Detyra ime si deputete e PD-së dhe besimi në bindjet e djathta nuk ka pse merret si heroizëm. Askush nuk më ka kërcënuar, por kjo nuk do të thotë që oligarkia nuk ekziston, përkundrazi! Të vetmet kërcënime kanë qenë nga kryeministri që ka hedhur në gjyq mua dhe disa kolegë të mitë, të cilët kemi qenë aktivë në denoncime. As për mua dhe as për askënd nuk ka tërheqje, pavarësisht gjyqeve politike të tipit komunist. Kjo thjesht na motivon që të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë deri më tani, duke e ditur që puna jonë ia ka vlejtur!

Partitë aleate i kanë kërkuar liderit Basha që të nisë procesin e bashkimit të kontributeve ndër vite, që t’i bashkohen opozitës në betejën kundër qeverisë “Rama”. Kujt i drejtohet konkretisht kjo thirrje?
Të gjithë atyre që ndër vite kanë luftuar dhe lu-ftojnë për një Shqipëri demokratike si Europa. Opozita është një shtëpi e madhe dhe ndërmarrje të tilla kanë nevojë për shumë kontribuues, nga intelektualë e deri te politikanë dhe akademikë. Ky është një proces që ka filluar e vazhdon. Gjatë verës kjo fazë ndodhi në çdo degë, në çdo lagje e në çdo zonë duke tërhequr kontribuuesit në vite, intelektualët e më të mirët e çdo fushe. Partia Demokratike ka kapacitete të jashtëzakonshme dhe përfshirja nuk është një fushatë që fillon e mbaron, por një proces i vazhdueshëm.

Vetë PD-ja është solide brenda saj në betejën për largimin e Ramës nga pushteti?
Nuk shoh asnjë stepje në Partinë Demokratike dhe as te ndonjë demokrat.

Si mund të shkohet drejt rotacionit politik dhe çfarë e bën atë të mundshëm?
Rotacioni politik arrihet me zgjedhje, në rastin tonë të parakohshme. Vendit i duhet ky rotacion politik. Këtu nuk bëhet fjalë për të hequr një palë e për të vënë një palë tjetër. Kemi një projekt politik që ua kemi shpalosur shqiptarëve në ekonomi dhe do vazhdojmë gjithashtu ta shpalosim në fusha të tjera. Gjendja e rënduar e vendit dhe shpresa e vrarë nga kjo mazhorancë e bën të domosdoshëm këtë rotacion apo përmbysje sistemi vlerash politike dhe qeverisëse. Nga një qeveri për oligarkët, në një qeveri për shqiptarët! Këtu bëhet fjalë për një projekt për Shqipërinë europiane, një vizion që PD-ja e nisi në 1991 dhe nuk do të ndalet derisa ta bëjë realitet! Çdo datë e rëndësishme, çdo arritje e rëndësishme në 30 vitet e fundit është realizuar me Partinë Demokratike. Kështu do të jetë edhe me Integrimin Europian. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: