Pak pasi Parlamenti i Koresë së Jugut votoi pro shkarkimit të Presidentit Yoon Suk Yeol, i cili u fajësua për përpjekje për të vendosur ligjin ushtarak, ai ka njoftuar tërheqjen nga pozicioni.
Presidenti Yeol tha se do të tërhiqej, ndërsa kërkoi t’i jepet fund “politikës së teprimit dhe konfrontimit”.
“Megjithëse tani duhet të tërhiqem për një kohë, udhëtimi drejt së ardhmes nuk duhet të ndalet kurrë”, tha ai në një fjalim televiziv.
Një zyrtar i policisë së Seulit i tha AFP se të paktën 200,000 njerëz ishin mbledhur jashtë parlamentit në mbështetje të largimit të presidentit.
Një protestues derdhi lot, ndërsa dhjetëra mijëra festuan kur Parlamenti votoi për shkarkimin e Yoon Suk Yeol. “Jam 100 për qind i sigurt se Gjykata Kushtetuese do të mbështesë shkarkimin”, tha një prej protestuesve.
Në anën tjetër të Seulit pranë sheshit Gwanghwamun, policia vlerësoi se 30,000 ishin mbledhur në mbështetje të Yoon, duke kënduar këngë patriotike dhe duke valëvitur flamujt e Koresë së Jugut dhe amerikanëve.
“Yoon nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shpallte gjendjen ushtarake. Unë e miratoj çdo vendim që ai ka marrë si president”, tha për AFP-në para votimit mbështetësi Choi Hee-sun, 62 vjeç.