Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi i është përgjigjur ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, i cili tha sot se ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë do të referohen në SPAK.
Çupi deklaron se parlamenti ynë nuk ka lidhje me demokracinë dhe është tempulli i Edi Ramës.
Ajo thekson se Rama ka hequr me dhunë të drejtën e votës, ka arrestuar liderin e opozitës dhe ka burgosur kundërshtarin politik, duke renditur të tjera “krime” që sipas saj duhet të shqetësojnë ministrin e Brendshëm.
“Dikush duhet t’i thotë Ministrit të Brendshëm se ky parlamenti ynë mjeran nuk ka lidhje me demokracinë.
Partia Socialiste qëndron në pushtet, sepse Edi Rama investoi paratë e korrupsionit, ndërsa krimi i organizuar investoi paratë e drogës. Parlamenti është tempulli i Edi Ramës prej nga sundon kundër interesit të Shqipërisë, që u ka hequr me dhunë të drejtën e votës, ka arrestuar liderin e opozitës dhe ka burgosur kundërshtarin politik, ka shkatërruar me mijëra hektarë pronë publike dhe private për interesa korruptive private, i ka dhënë krimit të organizuar ekonominë në dorë dhe tani ka menduar të copëtojë edhe shtetin shqiptar.
Këto janë krimet që duhet ta shqetësojnë Ministrin e Brendshëm, sepse këto krime ngjajnë shumë me pushtetin e atyre forcave antidemokratike në Europën e së shkuarës!”, shkruan Çupi.
Deputetja e PD kujton më tej se si protestojnë gjermanët, francezët apo anglezët.
“Europianët modernë nuk e pranojnë diktaturën, nuk pranojnë që shteti i së drejtës të zëvendësohet nga urdhrat e kryeministrit.
Ne do të protestojmë njësoj siç protestojnë gjermanët, francezët, anglezët dhe çdo europian që e ka të shtrenjtë lirinë dhe dinjitetin njerëzor!”, deklaron Çupi.