Parlamenti i Malit të Zi miratoi në mesnatën e së premtes, me votat e 41 deputetëve të shumicës parlamentare, një rezolutë për gjenocidin në Jasenovac të iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Kjo rezolutë, sipas analistëve në Malin e Zi, mund të ndikojë në marrëdhëniet me Kroacinë fqinje, e cila më parë paralajmëroi me një notë proteste Podgoricën për pasojat e mundshme të kësaj rezolute.

Në parlamentin që numëron 81 vende, morën pjesë 42 deputetë, nga të cilët vetëm njëri ishte kundër rezolutës së miratuar.

Debati për rezolutën për gjenocidin në Jasenovac u përfshi në rendin e ditës të seancës me propozim të kryetarit të parlamentit Andrija Mandiç, i cili është përfaqësues i partive pro-serbe dhe pro-ruse në Malin e Zi.

Ai tha se rezoluta e propozuar që mbështetet nga shumica parlamentare nënkupton se “rezoluta do të marrë një formë më të gjerë dhe do të quhet rezoluta për gjenocidin në Jasenovac, sistemi i kampeve Dachau dhe Mauthausen”.

“Njerëz nga Mali i Zi, bashkatdhetarë tanë, qytetarë të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë, në të cilën ndodhej Mali i Zi, kanë humbur jetën edhe në sistemin e kampeve Jasenovac, Dachau, Mauthausen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë, ne duam të dërgojmë një mesazh respekti për paraardhësit tanë që vdiqën atje”, tha Mandiç.

Propozimi i rezolutës për Jasenovac-in, ndodhi pasi qeveria e Milojko Spajiç mbështeti muajin e kaluar rezolutën e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, të cilën partitë pro-serbe dhe pro-ruse e kundërshtuan.

Për shkak të miratimit të rezolutës për Jasenovcin, e cila gjendet në territorin e Kroacisë, menjëherë reagoi Ministria e Jashtme kroate duke vlerësuar veprimin e vendit fqinj si instrumentalizim i viktimave për qëllime politike.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë shprehu keqardhjen e saj që “Mali i Zi vendosi të injorojë thirrjet për të mos politizuar viktimat e Jasenovacit dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi”.

Në deklaratë thuhet se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një nga elementët kyç të procesit të zgjerimit dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi.

“Republika e Kroacisë priste që, pas marrjes së IBAR-it, Mali i Zi do të përmbahej nga çdo aktivitet që mund të çonte në prishjen ose përkeqësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe se do t’i përqendronte përpjekjet e saj në përmbushjen e kushteve dhe standardeve në procesin e anëtarësimit, disa prej të cilave janë veçanërisht të rëndësishme për Republikën e Kroacisë./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: