Parlamenti i Izraelit miratoi një ligj të ri të diskutueshëm sot herët që lejon deportimin e anëtarëve të failjeve të palestinezëve të përfshirë në sulme kundër izraelitëve.

Projektligji u miratua në leximin e dytë dhe të tretë me 61 pro dhe 41 kundër, duke e bërë atë ligj në fuqi.

Legjislacioni po konsiderohet gjerësisht se synon qytetarët e Izraelit dhe banorët palestinezë të Kudsit Lindor të pushtuar.

Ligji nuk specifikon se ku do të dëbohen familjet apo të afërmit. Megjithatë, mediat izraelite thonë se Gaza do të jetë një destinacion për ata që deportohen.

Ligji i ri i jep kompetencë ministrit të brendshëm për të vendosur se cili i afërm do të dëbohet nëse ministria ofron prova që një anëtar i familjes ka pasur njohuri paraprake për një sulm, ose nëse një anëtar i familjes shpreh mbështetje për ndonjë sulm kundër izraelitëve.

Në një deklaratë të Parlamentit Izraelit thuhet se sipas ligjit, periudha e dëbimit për një person që ka nënshtetësi izraelite mund të variojë nga 7-15 vjet dhe midis 10-20 vjet për një person që ka leje qëndrimi të ligjshme.

Të martën, Parlamenti izraelit miratoi një ligj të ngjashëm që lejon shkarkimin e mësimdhënësve arabë që shfaqin mbështetje për sulmet kundër izraelitëve.

Tensionet janë përshkallëzuar në territoret palestineze për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 43.400 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit të kaluar.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb