GREQI- Parlamenti grek ka miratuar planin e kryeministrit Aleksis Cipras, për një referendum popullor lidhur me ofertën e fundit të kreditorëve, që rrezikon një stuhi financiare para datës së zhvillimit të tij më 5 korrik.

Referendumi u miratua me 178 vota pro dhe 120 kundër në parlamentin me 300 vende.

Deputetët e SYRIZA-s dhe aleatët e Grekëve të Pavarur votuan për referendumin ashtu si edhe ata të ”Agimit të artë”, në ndërkohë që votuan kundër deputetët e ”Demokracisë së re” dhe të PASOK-ut, ashtu si ata të KKE-së dhe të ”Potami”-t.

”Populli grek do t’i thotë një ‘jo’ të madhe ultimatumit të kreditorëve”, deklaroi Cipras.

Në këtë referendum, grekët do të përgjigjen me ”po” ose ”jo” masave të kreditorëve të vëna qeverisë Cipras. Kujtojmë se Greqisë iu refuzua kërkesa për zgjatjen e borxhit. Ndërkohë që partnerët e Eurozonës e kanë kritikuar planin për referendum.

Menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Aleksis Cipras për një referendum popullor, mbarë Greqinë e ka kapur paniku.

Qytetarët grekë tentojnë të tërheqin para “kesh” nga bankat, me frikën se ato do të mbyllen. Radhë të gjata ka edhe në automatët e tërheqjes së parave, ku njerëzit duan të marrin gjithë paratë që kanë në llogaritë e tyre.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: