TIRANË

Analisti Andi Bushati ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike në studion e News24. Ai foli për koalicionin opozitar të zyrtarizuar sot, partinë e re të Astrit Patozit por edhe për fushatën në Tiranë.

Sa i përket koalicionit opozitar, Bushati tha se ka risi nga ana formale pasi tregon që nuk ka tërheqje nga opozita, ndërsa përbën më shumë një sfidë për qytetarët.

Për partinë Bindja Demokratike, analisti tha se është koha e gabuar dhe se ka dyshime se i shërben Ramës.

Koalicioni opozitar
Nga ana formale ka diçka të re se tregon se pavarësisht nga presionet, shantazhet, trysnia politike që po ushtron qeveria, fronti opozitar iu qëndron atyre vendimeve që ka marrë këtu e 2 muaj më parë. Vlera më tepër është formale se sa është përmbajtësore.

Sfidë ndaj Ramës
Është më tepër sfidë ndaj shqiptarëve dhe në një farë mase dhe ndaj ndërkombëtarëve për të treguar se çfarë zgjedhjesh mund të zhvillohen pas dy muajsh. Deri tani, në 30 vjet ne kemi pasur shumë probleme po s’kemi pasur kurrë zgjedhje pa opozitën. Këtë herë rrezikojmë të kemi zgjedhje pa opozitën dhe siç duket palët janë aq larg, kështu që duket sikur do shkohet drejt zgjedhjeve vetëm me njërën palë. Në këtë kuptim është më shumë sfidë për ne, se sa për Ramën që besoj e ka caktuar rrugën e tij.

Si do reagojë faktori ndërkombëtar?
Faktori ndërkombëtar është futur në një logjikë trysnie ndaj opozitës. Ata duket sikur vlerësojnë, cila është gjëja kryesore në Shqipëri, stabiliteti, çfarë duhet për të mbajtur këtë stabilitet nuk ka rëndësi të rremë apo vërtetë, duhet të funksionojnë parlamenti normalisht, të bëhen zgjedhje normalisht dhe si bëhet kjo, duke ushtruar trysni mbi opozitën që këto dy muaj po luan rolin e djalit plangprishës. Prandaj të gjitha bateritë janë drejtuar për të goditur, për t’i ushtruar presion opozitës. Nga ana taktike kjo mund të përligjet sepse ndërkombëtarët këtë kanë bërë gjithmonë, për të ruajtur një fasadë stabiliteti.

Por imagjinoni një moment sikur deklaratat e ambasadës amerikane të dy muajve të fundit, të kthehemi e t’i lexojmë pas 10 viteve. Do dukej sikur në Shqipëri mëkati qëndron tek pakica, tek ata që nuk kanë gjë në dorë. Ore në këtë vend ka korrupsion, ka krim, është i vërtetë raporti i DASH, janë të vërteta vjedhjet e tenderave që raporton Zëri i Amerikës? E gjithë kjo Shqipëri tjetër nuk del në reagimet e ndërkombëtarëve.
Reagimet ndërkombëtarëve kanë marrë një anashpeshim shumë të padrejtë dhe që nuk i përputhet realitetit që shohim përditë shqiptar.

Krijimi i Bindjes Demokratike
Vendimi i duhur në kohën e gabuar. Për mënyrën se si të gjithë kundërshtarët e Bashës u përjashtuan në zgjedhjet e vitit 2017 nga PD, padyshim që atyre nuk mund t’u heqësh të drejtën për të qenë faktor politik, për të vazhduar karrierat e tyre politike, për të pasur binjet e tyre. Dhe grupi themelues bashkë me zotin Patozi e kanë këtë të drejtë për të qenë në politikë. Do ishte shumë më mirë ta kishin bërë më përpara, mendoj unë. Fakti që e bëjnë sot, rendit mbi ta jo fakte por shumë hipoteza apo dyshime se pse po e bëjnë në këtë moment, kur në këtë moment i duhet qeverisë. Nga ky moment ata janë dyfish të detyruar që kur të komunikojnë me publikun ta heqin nga vetja këtë hije dyshime. Nëse synoje zgjedhjet duhet ta kishe bërë para një viti. Duket sikur më tepër është një lëvizje e nxitur për të lënë vendin bosh që ka bërë tërheqja opozita se sa një projekt i pjekur dhe në emër të të ardhmes.

Po të ishim në situatë normale, çfarë mund të bënte kjo parti e re? Mund të krijonte një shizëm brenda elektoratit të PD për t’i dhënë një mësim Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për të menduar që duhet të heqim dorë nga modeli i partive personale, ky kryetari është gjithçka. Në këtë kuptim kjo lëvizje do kishte qëllim në një kohë të paqtë. Por kur puna është që gjysma e shqiptarëve mendojnë që me këtë qeveri nuk bëhen zgjedhjet, të pretendosh që me 2 muaj do bësh një parti konkurruese në zgjedhje, këtu ka diçka që kërcet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb