TIRANE- Që prej fundjavës kur ish-deputeti demokrat Astrit Patozi paralajmëroi në takimin e tij me simpatizantët e Korçës krijimin e një force të re demokratike, në Tiranë filluan edhe komentet.

Vetë kryedemokrati Basha nga selia e PD-së duket se nuk trembet nga ideja e Patozit, madje këtij të fundit i ka dhënë sot edhe një mesazh. Basha i kujtoi demokratit se sulmet nuk bëhen nga kafenetë, duke dashur t’i tregojë se edhe partia nuk mund të krijohet në kafe.

I pyetur nga gazetarja e News 24, Elda Menga nëse po përçahet PD-ja me iniciativën e re të disa ish-eksponentëve, kryedemokrati u përgjigj dhe nuk nguroi ta ftonte Patozin e gjithë ata që e sulmojnë të bëhen pjesë e kauzës së demokratëve.

“E para, Partia Demokratike sapo ka përfunduar procesin e analizës dhe po bëhet gati për riorganizimin. E dytja dua të them se është e drejta e çdokujt të bëjë zgjidhjen e tij politike. Pretendimi se propozimet nuk janë shqyrtuar nga kryetari janë pretekst. Nuk është kryetari ai që shqyrton propozimet, por forumet, Kuvendi i partisë. Kryetari as nuk shqyrton, as nuk miraton, as nuk hedh poshtë, por kryetari vetë propozon. Ndaj çdokush është i ftuar të marrë pjesë, do ketë hapësirë të japë propozime për fuqizimin dhe mënyrën e organizimit të aksionit të PD. Thënë kjo, sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike. As sulmet ndaj PD në media nuk i shërbejnë demokratëve që përballen çdo ditë me krimin në pushtet, revanshin e drogës, largimin nga skema ekonomike. PD ka luftuar dhe do luftojë kundër krimit, drogës dhe kapjes së politikës nga krimi dhe droga. Kjo kauzë do i bashkojë demokratët pa dallim. Nuk vlejnë as sulmet personale nga kafenetë dhe as deklaratat e pabazuara. Unë i bëj ftesë gjithkujt të bashkohet rreth këtyre vlerave, dekriminalizimit, distancomi nga personat me rekorde kriminale, bashkëpunëtorë dhe autorë të trafikut të drogës, ftoj këdo, absolutisht këdo të bashkohet në këto vlera”,- tha Basha.

E duke folur për PD-në dhe përgjegjësitë e tij, Basha tha se partia është e anëtarëve dhe e hapur për këdo.

“Unë i di shuëm mirë përgjegjësitë e mia, çdo demokrat nuk pret që bashkimi i partisë të jetë bisedim personal me kryetarin, por krijimi i një hapësire që çdo kush që do të vijë në këtë parti të ketë mundësi dhe zëri i tij të dëgjohet. Kjo është parti e anëtarëve, jo e kryetarit”,- sqaroi ai më tej.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb