Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 iu përgjigj Sekretarit të PD-së Flamur Nokës, pasi ky i fundit tha se “Mundësia” është një “partiçkë e regjimit”.

Shehaj tha se sulmi vjen, pasi ka denoncuar “vjedhjen që po bëhet në rrugën Thumanë-Kashar”. Sipas tij, kjo rrugë duhet të kushtonte vetëm 60 milionë euro dhe se kosto ka shkuar në 1.3 miliardë euro. Për Shehajn, Noka nuk do që ai të bëjë denoncime për këtë aferë.

“Sulmi vjen pas debatit në Kuvend. Ne po denoncojmë se në rrugën Thumanë-Kashar po bëhet korrupsion masiv dhe pas kësaj, Flamur Noka më sulmon me shpifje pas denoncimeve. Të gjithë e dimë se Flamur Noka është afër me një biznesmen të njohur. Shqiptarët do të paguajnë 1.3 miliard euro për vetëm 20 km rrugë. Këtij biznesmeni ia kanë dhënë koncesionin, sepse do i ndajnë paratë me njëri-tjetrin, jo se është burrë i mirë. Sapo flas për këtë skandal, del Noka e flet kundër meje”, tha Shehaj.

I pyetur nëse është e vërtetë që kompania e tij ka ndërtuar shtëpinë e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës, Shehaj deklaroi se edhe kjo është shpifje.

“Është shpifje. Është shpifje që unë gjoja kam ngrënë dreka e darka me Veliajn. Kanë marrë vesh që kam mbaruar universitetin në Firenze dhe vetëm shpifin. Shpifjet janë, që unë të ndalem në denoncime, që ata nuk duan të jetë si denoncim. Si mund ta vërtetoj unë se kam ngrënë  drekë a darkë apo jo me vëllain e Veliajt? Ne po bëjmë opozitë të vërtetë. PD në vend që të denoncojë bashkë me ne, për tarifën e rrugës Thumanë-Kashar, nxjerr Flamur Nokën që të më sulmojë mua. I ftoj qytetarët që të hapin sytë dhe të shikojnë realitetin”, u shpreh ai.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb