Ish-kryeministri Sali Berisha foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për partinë e re të Jozefina Topallit “Lëvizja për Ndryshim”, duke thënë se ky është një ushtrim i të drejtës themelore për këdo.
“PD dhe opozita do të fitojë zgjedhjet bindshëm, bindshëm. Sa i përket vendimit të zonjës Topalli, dhe kujtdo tjetër, është ushtrim i së drejtës themelore. Unë përshëndes partinë demokratike, por njoh dhe respektoj të drejtën e çdo shqiptari për zgjedhje”, tha Berisha.
Akuzat e Topallit ndaj Bashës, a keni një koment?
Topalli dhe cilido është i tillë të bëjë të gjitha grupimet dhe klasifikimet, por Basha po udhëheq opozitën drejt fitores, për dërgimin e Ramës drejt çelisë.
E keni uruar Topallin për partinë e re?
Nuk kam komunikuar për këtë nismë të re, sepse nuk kam asnjë lidhje me projektin e saj politik, komunikoj për gjëra të tjera. Unë nuk prish marrëdhëniet me asnjë, marrëdhëniet e mia me të janë ngrirë në 2013, aty ku janë lënë. Ata e dinë se edhe një po mbeti, i dyti do jem unë në PD.
Janë disa figura të vjetra të PD që kanë marrë nisma të reja, sa është koha për një bashkim të PD dhe sa dëmtohet PD nga këto?
Koha për të bashkuar mbi bazë programi është gjithnjë opsion real, por se çfarë do të ndodhë, unë jam tërësisht i çliruar nga çdo lloj funksioni në PD.
Cilën zonë do të zgjidhnit për të qenë deputetë?
Sapo të vendoset, do ta bëj publike.
Kush do ta dëmtojë më tepër Ramën, situata me Covid apo opozita?
Opozita e ka shndërruar në njeriun më të përçmuar politikisht në kontinentin Evropian, së bashku me Lukashenkon. Sot dy fytyra janë të damkosura në Evropë, Lukashenko i Bjellorusisë dhe Lukadroga i Shqipërisë. Ky nuk ka asnjë komunikim me shqiptarët, sepse s’duan t’ia shohin bojën e as t’ia dëgjojnë zërin. Një problem të madh ai ka me rininë shqiptare, që ja vret ëndrrën evropiane asaj. Shqiptarët po kuptojnë se me Ramën nuk hapen negociatat, por edhe ecën e sigurt nga rruga e përjashtimit të negociatave. Shoh një rënie në pikiatë të Edi Ramës dhe partisë së tij, shoh një urrejtje popullore të paparë që nga koha e diktaturës ndaj një kryeministri. Ndaj dhe tani ai është këto muaj një kufomë politike e pakallur, që do të kallet më 25 prill.
(BalkanWeb)