Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, së bashku me një delegacion nga Qeveria e tij, të qëndrojnë për një vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut më 26 dhe 27 shtator.
Qeveria maqedonase njoftoi se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do ta takojë Orbanin në Ohër. Gjatë kësaj vizite do të ketë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe mes ministrave maqedonas me homologët e tyre nga delegacioni hungarez.
Hungaria aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.
Në Ohër policia maqedonase ka marrë masat e nevojshme të sigurisë, ndërsa është paralajmëruar ndalim i përkohshëm i qarkullimit, në mënyrë që ta garantohet lëvizje e sigurt dhe e qetë për delegacionin mysafir nëpër qytet dhe rrethinë.
VMRO-DPMNE në pushtet dhe lideri i saj kryeministri Mickoski konsiderohen të afërt me Orbanin dhe partinë e tij, Fidesz.
Menjëherë pas formimit të Qeverisë në Shkup në qershor, gjatë samitit të NATO-s në Uashington që u mbajt në gjysmën e parë të korrikut, Mickoski u pajtua me Orbanin që Maqedonia e Veriut të merrte një kredi nga Hungaria në vlerë prej 500 milionë eurosh.
Më 17 shtator, ligji për kredinë hungareze u miratua në Parlamentin maqedonas.
Në Hungari ndodhet edhe ish-lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski.
Pas rënies nga pushteti, ndërsa në vend po zhvilloheshin disa çështje gjyqësore kundër tij, Gruevski u arratis në Budapest në nëntor 2018, ku mori azil politik.
Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vend, kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Urdhrin iu dorëzua presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, ndërsa ai ishte takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm Gruevski./Rel/