GJERMANI- Partia Socialdemokrate e Gjermanisë po përpiqet që për refugjatët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor të krijohet mundësia e marrjes së një vize pune. Kjo do t`u mundësonte shtetasve të vendeve të këtij rajoni që të shkojnë në Gjermani përmes një rruge tjetër, jo përmes azilit.

Sipas këtij propozimi, shtetasit e Shqipërisë, Serbisë apo Kosovës do të fitonin një vizë pune në rast se ata sigurojnë paraprakisht një kontratë pune në Gjermani me të ardhura që e kalojnë pagën minimale prej 1460 euro bruto në muaj, shkruan “Finanz.net”.

Këtë propozim e ka bërë publik sot në një konferencë telefonike me kryeministrat e landeve që vijnë nga partia e tij, kryetari i SPD-së, Sigmar Gabriel.

Sa u përket vizave të punës, ato duhet të jepen në numra të kufizuar. Për të realizuar këtë synim të SPD-së nuk nevojitet ndryshim i ligjit, thonë në këtë parti.

Ndërsa, vënia në jetë e propozimit të përmendur mund të bëhet në çdo kohë përmes udhëzimit nga Agjencia Federale për Ndërmjetësim të Punës (BA).

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb