Tryeza e partive joparlamentare u mbodh sërish sot në Tiranë, duke kërkuar zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ata apeluan sërish komunitetin ndërkombëtar që reforma zgjedhore për mos jetë farsa e radhës e PS-PD-së, por të jetë një reformë reale që do të shërbejë për çlirimin e zgjedhjeve nga thonjë e dy partive kryesore në Shqipëri.


Deklarata e plotë:


Tryeza e partive politike dhe e shoqatave të shoqërisë civile që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të barabarta, e mbledhur sot më 13 tetor 2018, konstatoi se Shqipëria ka probleme të mëdha me zgjedhjet. Në Shqipëri sundon marrëveshja PS-PD. Këto parti nuk duan të bëjnë reformë zgjedhore dhe të humbin monopolin mbi zgjedhjet. Ndaj u vendos që të informohen Prezenca e OSBE-së, përfaqësitë diplomatike të vendeve të BE-së dhe institucionet e BE-së të interesuara për inteqrimin Europian të Shqipërisë për shqetësimet ndaj këtij procesi. Tryeza vendosi:


1-Të zbatohet rekomandimi kryesor i OSBE/ODIDR-it, prej të cilit varet çlirimi i zgjedhjeve: depolitizimi i tyre. Nevojitet depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Në krye të procesit zgjedhor duhet të jetë një individ konsensual ose një institucion me njerëz krejtësisht të pavarur nga partite dhe jo një KQZ e komanduar nga PS dhe PD.

2-Administrimi i zgjedhjeve të bëhet nga njerëz që kanë vlera dhe jo nga militantë të PS dhe PD. Administrata zgjedhore të përbëhet nga pedagogët e universiteteve, punonjesit e bankave dhe studentët ekselentë të masterit te fakulteteve juridikë.Ky do të jetë një progres i madh drejt rritjes së integritetit të zgjedhjeve, si një ndryshim i parë thelbësor dhe i rëndësishëm drejt zgjedhjeve me standarte.

3- Tryeza e vlerëson reformēn zgjedhore si vendimtare dhe shpëtimtare për Shqipërinë, ndërsa PS dhe PD po përpiqen të bëjnë një farsë dhe të mashtrojnë opinionin e brendshëm dhe institucionet e BE-së duke e shitur një pseudoreformë si demokratizim të zgjedhjeve. PS dhe PD nuk kanë vullnet për të bërë depolitizimin e administratës Zgjedhore. Ne nuk duam një reformë zgjedhore gjysmake, duam një reformim që do i japë fund vjedhjes, manipulimit, deformimit, intimidimit dhe kontensimit të zgjedhjeve nga lukunia e komisionerëve dhe numëruesve të PS dhe PD. Ne refuzojmë me vendosmëri manovrën dhe ujdinë e radhës PD-PS për të mos e depolitizuar KQZ-në dhe administratën zgjedhore.

4-Standardet e zgjedhjeve janë gjëja më e rëndësishme që duhet të garantojë kjo reformë.  Teknologjia redukton numrin e njerëzve që merren me administrimin  e zgjedhjeve dhe rrit cilësinë e procesit. Kutitë e votimit duhet të numërohen në qendrat e votimit dhe të mos vazhdohet më me transportin e tyre nga qendrat e votimit te ato të numërimit.

5-Të zbatohet rekomandimi i OSBE-së që zgjedhjet të mos prodhojnë diskriminim për askënd, të hiqen pengesat artificiale mbi partitë e reja dhe joparlamentare dhe të bëhen zgjedhje të barabarta. Të mos cenohen dhe të mos diskriminohen të drejtat e partive të reja dhe joparlamentare gjatë zgjedhjeve, që lidhen si me sistemin zgjedhor dhe me administrimin e zgjedhjeve.

6-Reforma zgjedhore të garantojë demokratizimin e zgjedhjeve dhe përtëritjen e elitës politikës përmes tyre. Zgjedhjet demokratike, të barabarta dhe të administruara në mënyrë të besueshme mundësojnë individët më të mirë të Shqipërisë për t’u përfshirë në politikë dhe në drejtimin e punëve të shtetit. Vetëm kështu bëhet vetingu i politikës.

7-Përkufizimet për tekonologjitë, financimet, transperencën dhe procedurat duhen bërë në funksion të rritjes thelbësore të integritetit të zgjedhjeve dhe jo në funksion të forcimit të pushtetit të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike për t’i kontrolluar akoma edhe më shumë zgjedhjet. Shqipëria nuk duhet të bëjë mbirregullime, shpikje “origjinale” dhe speciale për zgjedhjet, por një sistem zgjedhor të thjeshtë, të pastër dhe sipas rregullave, modeleve dhe standardeve të vendeve të tjera demokratike.

8-Partitë tona, individë dhe grupime të shoqërisë civile kërkojnë të jenë të përfshira në procesin e reformimit të zgjedhjeve. OSBE/ODIHR-i, por edhe të përfaqësues të tjerë të vendeve partnere të Bashkimit Europian në Shqipërisë kanë rekomanduar në mënyrë të përsëritur që procesi i hartimit të reformës zgjedhore në Shqipëri të jetë gjithëpërfshirës. Ne duhet të na garantohet e drejta që të prezantojmë propozimet dhe idetë tona në çdo seancë të komisionit që bën hartimin dhe debatin për reformën zgjedhore, të kemi prezencë të vazhdueshme institucionale, të monitoruar ndërkombëtarisht për të prezantuar gjithë opinionet  për këtë çështje.

9-OSBE dhe vendet partnere të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre me qëllim që Shqipëria të mos bëjë edhe këtë rradhë “një hap përpara” si në 25 vitet e shkuara, por ta zgjidhë përfundimisht çështjen e zgjedhjeve. Kjo duhet bërë tani, ndryshe situata në Shqipëri do të vështirësohet akoma më shumë, ekonomia do të degradojë edhe më tej dhe stabiliteti i vendit do rrezikohet seriozisht.