Partizani që nga 2013-a u kthye të bëjë atë që bënte për dekada me radhë, të luftojë për trofe dhe t’i japë tonin futbollit tonë. Gjatë këtyre viteve te Partizani kanë kaluar ndoshta qindra futbollistë, një pjesë e të cilëve e kanë përdorur ekipin e kuq si një trampolinë për hapa të mëdha në karrierë.

Të tillë mund të përmendim emra si Ekuban, Asani, Rrahmani apo Ramadani, që edhe falë klubit të kuq tashmë janë lojtarë të një tjetër niveli. “Panorama Sport” ka ndërtuar një formacion me disa nga ish-lojtarët e kuq, që janë transferuar jashtë vendit dhe që kanë spikatur si me “demat”, edhe në skuadrat e reja.

MBROJTJA – Roli që Partizani ka eksportuar më pak lojtarë është porta. Ndër të vetmit portierë që ka luajtur me Partizanin dhe aktualisht aktivizohet jashtë Superiores, është Rexhepi, portieri i titullit të fundit kampion. Ai është pjesë e Dukagjinit në Kosovë. Mbrojtja më pas ka mjaft emra dhe konkurrencë. Në krahun e majtë në formacionin 4-3-3 do të luante Atanaskoski, titullar absolut në dy vite dhe pjesë e Poli Iasit në Rumani nga kjo verë. Në qendër i padiskutueshëm është Rrahmani, ylli i Napolit dhe krah tij Bitri, ishkapiten dhe lojtar i një sërë klubesh në Europë. Aktualisht ai luan në Hungari me Giorin. Në të djathtë do të pozicionohej Sota, ish-kampion dhe titullar me të kuqtë. Para pak javësh ai u transferua te Suon në Kore, një ekip që po lufton për kreun. Konkurrent në këtë rol Sota do të kishte Albion Markun, aktualisht shok ekipi me Bitrin në Hungari.

asdsadsdasaddsasasad (1)

MESFUSHA – Nëse lojtarët e këtij reparti do të ishin bashkë në këtë pikë që ndodhen në karrierë, mesfusha e Partizanit do të ishte si tank. Matondo shkëlqeu me “demat” dhe të njëjtën gjë po bën edhe me Hatajsporin në Turqi. Maget, lojtari më i shtrenjtë ndonjëherë i Superiores, këtë vit u transferua në Spanjë te Racing Santander. Për Ramadanin nuk ka nevojë për fjalë, por thjesht na mbetet ta shijojmë sot kundër Gjeorgjisë në “Air Albania”.

SULMI – Në këtë repart nga e djathta do të luante Jasir Asani, titullar i Kombëtares dhe pjesë e Guangju në Kore. Ylli kuqezi tashmë është ishull në Kombëtare, por kjo ndodh dyfish për tifozët e Partizanit. Një alternativë e tij do të ishte Bardhi, pjesë e Umraniesporit në Turqi. Në të majtë të sulmit do të luante Çinari, i cili aktualisht luan me Noah në Armeni, teksa një opsion për të do të ishte edhe Skuka, i cili kaloi te Penafiel në Portugali. Në qendër do të ishte lojtari i Xhenoas, Kaleb Ekuban, një nga sulmuesit më të mirë që ka zbarkuar në vendin tonë në vitet e fundit.

SHITJET – Nga të gjithë këta lojtarë të përmendur, Partizani ka shitur Skukën, Matondon, Magetin dhe Bitrin, duke arkëtuar një total prej afro 2.5 milionë eurosh. Të kuqtë siç kanë pasur nuhatjen e jashtëzakonshme për të afruar lojtarë të një niveli të lartë, por qartësisht duhej të kishin fituar më shumë para nga largimet e tyre. Vlera aktuale sipas “Transfermarkt” e 11 lojtarëve të këtij formacioni është 25,45 milionë euro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb