Kukësi i dha një asist të pabesueshëm pak orë më parë, por Partizani nuk di të përfitojë. Madje bën një vetëvrasje në “Selman Stërmasi”, ku ndonëse kalon i pari në avantazh, përmbyset nga Luftëtari që në pjesën e parë, me gjirokastritët, të cilët në harkun kohor të tre ditëve arrijnë fitoren e dytë radhazi ndaj të kuqve.

Partizani e nis ndeshjen si mos më mirë. Minuta e katërt, një gjuajtje e Dukës devijohet nga Asani, që ndodhet në pozicion jashtëloje, dhe përfundon në rrjetë. Duket sikur Partizani është në korsinë e duhur, por për ta nxjerrë në kundravajtje mendon Dunga, i cili në minutën e 38-të dhe 44-ër do të shënojë një dygolësh fantastik duke përmbysur shifrat që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë Partizani hidhet në sulm në kërkim të barazimit, por skuadra e Gegës do të shfaqet e shthurur dhe e rrëmujshme, pa ide dhe larg atij ekipi solid që ua bën jetën të vështirë të gjithë kundërshtarëve. Ndaj Dunga do të ketë rastin e artë të marrë topin me vete dhe e shfrytëzon, pasi në minutën e 74-ët shënon me një gol me stil kung-fu golin e tretë që vulos fitoren e Luftëtarit, i cili ngjitet në kuotën e 34 pikëve, 4 më shumë sesa Tirana e vendit të tetë, ndërsa Partizani mbetet i pari me 54 pikë, 9 më shumë sesa Kukësi i vendit të dytë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: