Nga: JETON SELIMI*
Në Dramen pritet që Sulejman Starova ta orientojë ekipin drejt mbrojtjes, teksa burime brenda klubit të kuq bëjnë me dije se trajneri i Partizanit nuk ka ndërmend të rrezikojë në ndeshjen e parë kundër norvegjezëve të Strymsgodesetit, pasi njohuritë minimale që kanë 15 herë kampionët e vendit ndaj kundërshtarit të tyre e kanë detyruar trajnerin që të kalojë në llogore. Sipas të gjitha gjasave, skuadra pritet që të ketë në formacionin fillestar të paktën 7 lojtarë me tipare mbrojtëse, ndërsa fantazia e Nexhipit apo shpejtësia e Mazrekajt pritet që të qëndrojnë në stol. Megjithatë, gjithçka varet nga forma e serbit Stevan Raçiç. Raçiç nuk po kalon një moment të mirë për shkak të një dëmtimi dhe rrezikon ndeshjen e së enjtes në Dramen, ndërsa prezenca e shtatlartit në sulmin e kuq duket si një nga armët e vetme për të mbajtur në alarm mbrojtjen kundërshtare. Formula që mendon Starova është e thjeshtë: të mbrohemi dhe të minimizojmë dëmet në Norvegji, për të synuar 7 ditë më pas kualifikimin në Tiranë… të paktën në letër.
Kukësi
Kukësi vijon paraqitjet pozitive në Tirol të Austrisë, ku po kryen fazën përgatitore për ndeshjet eliminatore të Europa League. Në miqësoret e fundit, një paraqitje mjaft të mirë kanë bërë brazilianët e afruar në skuadër në merkaton e kësaj vere, të cilët kanë bindur me paraqitjen e tyre. Forma e skuadrës në takimet miqësore, si dhe fryma e krijuar në grup kanë forcuar në kampin e Kukësit bindjen për të përsëritur në Europë një arritje si ajo e dy viteve më pare, ndërsa turi i parë duket i kalueshëm, teksa përballë verilindorëve do të jenë bjellorusët e Torpedo Zhodinos.
Laçi
Erjon Vucaj ka kaluar me sukses provën te polakët e Podbeskidzie Bielsko Biala. Por, meqenëse Podbeskidzie nuk merr pjesë në kompeticionet europiane, Vucaj ka preferuar që të firmosë më vonë. Ai do të aktivizohet me Laçin në turin e parë eliminator të Europa League dhe me përfundimin e kësaj aventure do të vendosë nëse do të udhëtojë drejt Polonisë. Për “telesport.al”, shkodrani pohon se është arritur parimisht akordi mes të dyja palëve, por mbetet vetëm hedhja e firmës në kontratë. Te Podbeskidzie i kanë ofruar të firmosë për dy vjet, megjithatë kjo do të shihet në të ardhmen. “Kalova provën me sukses në Poloni dhe më ka mbetur vetëm firmosja e kontratës. Unë dhe klubi i Podbeskidzie-s ramë dakord për anën financiare dhe atë kohore, ku do të firmos për dy vite. Megjithatë, duke parë që ata nuk marrin pjesë në Europa apo Champions League, atëherë unë vendosa që të kthehem dhe të aktivizohem me Laçin. Pas përfundimit të kësaj eksperience, unë do të firmos kontratën, e cila tashmë është vetëm çështje procedurale”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: